Gjirokastër – Në disa zona rurale qarkullim me zinxhirë

Institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër rekomandon shtimin e masave parandaluese dhe mbrojtëse për përballimin e situatave emergjente dhe monitorimin e pandërprerë, si pasojë e temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës.

“Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe IGJEUM për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta, të cilat priten të fillojnë në orët e vona të ditës së sotme e që do të vazhdojnë deri më datën 10 janar, me pasojë ngricash të forta edhe në datat 11 e 12 janar, qarku ynë do të përballet me situata të pazakonta sidomos për qarkullimin e mjeteve, lëvizjen e qytetarëve, furnizimin me ujë, ngrohjen dhe problematika të tjera”, bën të ditur Prefektura e Gjirokastrës.

Nga informacionet e marra aktualisht, Prefektura sqaron se në bashkinë Përmet, rrugët e fshatrave Vërçisht, Miçan, Zavalan, Ogren në Njësinë Administrative Frashër për shkak të ngricave, mjetet qarkullojnë me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë.

“Në bashkinë Këlcyrë, rrugët e zonës së Malëshovës (Malëshovë, Limar, Leskaj) qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë. Në bashkinë Tepelenë, rruga Tepelenë – Kurvelesh në Njësinë Administrative Kurvelesh e kalueshme vetëm me zinxhirë në segmente të veçantë si dhe rruga e fshatit Salari për dy lagje është në të njëjtën gjendje”, shprehet Prefektura.

Sipas njoftimit të Prefekturës në bashkinë Gjirokastër, Memaliaj, Libohovë dhe Dropull situata është e qetë, nuk raportohen probleme, ndërsa në aksin rrugor Erind – Çajup qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. /atsh

Loading...