Gjirokastër- Prefekti Aliaj: Nuk ka njësi administrative të bllokuara nga dëbora

Në qarkun e Gjirokastrës nuk ka njësi administrative të bllokuara nga dëbora, me përjashtim të akseve rrugore rurale që janë ende të pazhbllokuara.

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, tha për ATSH-në se “aksi rrugor Kolonjë – Golem në Njësinë Administrative Picar, në bashkinë Gjirokastër është i kalueshëm me zinxhirë. “Rruga bashkia Këlcyrë – Malëshovë – Leskaj – Limar vazhdon të jetë e bllokuar, ndërsa rrugët rurale të fshatrave të tjerë kanë vështirësi në lëvizjen e mjeteve”.

“Rrugët në Njësinë Administrative Zagorie, bashkia Libohovë, fshatrat Zhej dhe Lliar janë të bllokuara dhe për zhbllokimin e tyre po punon një mjet skrep”, tha Aliaj.

Prefekti Aliaj bën të ditur se “rrugët rurale të fshatrave Miçan, Vërçisht, Zavalan, Ogren të Njësisë Administrative Frashër, bashkia Përmet paraqesin vështirësi për shkak të borës dhe ngricave në lëvizjen e mjeteve (vetëm me zinxhirë). Po punon një mjet për zhbllokimin e rrugëve në Njësinë Administrative Frashër”.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Aliaj shprehet se “po bëhet normalisht në të gjitha njësitë e qarkut Gjirokastër”.

“Ujësjellësat dhe furnizimi me ujë të pijshëm po vijon normalisht, ndërsa nuk ka kërkesa nga njësitë administrative për probleme me mungesën e ushqimeve për njerëzit apo kafshët”, shtoi Aliaj.

Po ashtu procesi mësimor zhvillohet normalisht në të gjitha institucionet arsimore të qarkut Gjirokastër. /atsh

Loading...