Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, tha për ATSH-në se “kemi marrë të gjitha masat dhe koordinuar veprimet me njësitë e vetëqeverisjes vendore të qarkut dhe institucionet shtetërore për kalimin pa problem të situatave me të cilat është përballur qarku jonë gjatë ditëve të fundit”.
Sipas tij, aktualisht në bashkinë Libohovë në Njësinë Administrative Zagorie nuk ka vështirësi të qarkullimit të automjeteve, por në disa pjesë qarkullimi bëhet me zinxhirë.
“Në bashkinë Dropull nuk paraqiten probleme, ndërsa në bashkinë Gjirokastër në Njësinë Administrative Cepo rruga Taroninë-Fushëbardhë kalohet vetëm me zinxhirë”, tha Aliaj.
Ai bëri të ditur se “në Njësinë Administrative Picar rruga Kolonjë-Golem një pjesë kalohet me zinxhire, kurse në bashkinë Memaliaj nuk paraqiten probleme”.
“Në bashkinë Tepelenë në Njësinë Administrative Kurvelesh kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë”, tha Aliaj.
Prefekti Aliaj sqaron se rrugët nacionale qarkullohen normalisht me përjashtim të aksit Erind-Çajup, e cila në disa pjesë kalohet me zinxhirë.
Në bashkinë Përmet, vijon ai, në Njësinë Administrative Frashër (Mican, Vercisht, Zavalan, Ogren) qarkullimi i mjeteve bëhet me vështirësi (zinxhirë) për shkak të ngricave në rrugë.
“Në bashkinë Këlcyrë ka vështirësi në qarkullim në zonën e Maleshovës (Maleshovë, Limar, Leskaj)”, tha ai.
Prefekti bëri të ditur se “për 24 orët e ardhshme do të kemi një mot të qëndrueshëm, por me temperatura të ulëta. Këshillojmë të gjithë banorët e qarkut Gjirokastër që të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit me mjete dhe në lëvizjet e përditshme”./atsh