Gjirokastra – “Nga ç’do anë që t’a shohësh, ai qytet të duket si një yll”

Në një postim që shoqëronte dhe me disa foto nga qyteti i Gjirokastrës, një Zonjë e nderuar, tepër dashamirëse ndaj qytetit, thoshte se; “Nga ç’do anë që t’a shohësh, ai qytet të duket si një yll”.

YLL!
Ndoshta, duke e parë nga Libohova, si nga një ballkon përballë qytetit të gurtë, nga ku Zonja ka dhe prejardhjen, edhe mund të duket ashtu. Por vendasit dhe ne adhuruesit e vemë në pikëpyetje këtë dhe ç’do epitet tjetër.

Për të mos u keqkuptuar, pohoj se të gjitha i shkojnë, por deri më sot, edhe në letërsinë e jashtëzakonshme të gjeniut të letrave, për këtë qytet, nuk kam hasur ndonjë epitet përmbyllës, se shterues jo se jo, aq sa besoj që kjo është e pamundur!

Vendosja e shtëpive të para lart (Manalat, Dunavat), sa më pranë e ngjeshur shpatit të thepisur të Malit të Gjerë (Manalat i Parë, Dunavat i Parë), të duket si një përpjekje e dhimbshme dhe e sforcuar për të ruajtur jetën e lindur mes gurëve, rrethuar nga gurët, mbështetur në gur: QYTET I GURTË !

Edhe në ndonjë rast, që me ndrojtje e pasiguri tentoi të rreshkiste e të vendosej më poshtë (Palorto, Varrosh, Hazmurat), duke dashur të arrinte në Luginën e Drinos, sa më pranë Rrugës Nacionale, nga dëshira, kërshëria a nevoja të komunikojë me botën, me Lindjen dhe Perëndimin, në udhëkryqin e të cilëve qe vendosur, papritur u ndie i pasigurtë, i pa mbrojtur, i papregatitur, dhe nxitoi të tërhiqej përsëri lart, duke ngritur prita, ura, kalldrëme, sokakë, mure të trashë shtëpish e rrethinash, që të mund të mbështetej, të mbahej, të rrënjoste sa më pranë e sa më ngushtë me Malin dhe Kalanë, nga ku mund të orientohej e mbikqyrte horizontet rrethues.

Shumë herë, në intervistat dhe përshtypjet e shprehura, e kam përcaktuar këtë qytet si “MAGJI”! Sepse kurdoherë më është dukur; sa i vërtetë, aq dhe përrallë, sa i perceptueshëm, aq dhe ireal, sa i ndriçuar, aq dhe i errët. E njeh, e shëtit, e shkel, dhe kur kthen kokën pas, siç ndodh çdo herë me gjithçka që të tërheq e trondit, habitesh. Të duket i panjohur! Në një tjetër kënd optik, me një tjetër ndriçim, në një tjetër stinë, zbulon një tjetër fytyrë!

Gjatë xhirimeve a turneve, kam vizituar çdo qytet të Shqipërisë dhe disa qytete të vjetër në Evropë. Por një MUZE aq të gjallë, aq mikpritës, dhe ndërkohë aq kërcënues, një qytet aq DRAMATIK, nuk kam hasur akoma! Gjirokastrën mund t’a urresh akoma dhe pa e njohur, mund të mos e imagjinosh kurrë jetën në të, por nëse fati, nevoja a kërshëria të bën të vendosesh qofte edhe për pak kohë atje, të përpiu. Nuk je më as ai që ishe, as dhe banor a qytetar i zakonshëm i tij.

Duke lëvizur në atë dekor ireal e të jashtëzakonshëm, në ata sokakë e kalldrëme që të imponojnë një plastikë e qëndrim të pazakontë, duke dëgjuar e kuptuar dialektin dhe humorin e tyre të hollë, që siç shprehen rëndom me dashamirësi “jo gjithmonë e kanë me të ngopur”, fare pa e ndjerë e kuptuar, do ndjesh që je transformuar edhe ti. Je kthyer në një PERSONAZH i gjithë kësaj vorbulle asimiluese që zhvillohet në një dekor dhe mizanskenë të pazakontë, e mes njerëzish krejtësisht të veçantë. Dhe këtë vulë, jo vetëm që nuk do të duash, por as nuk do të mund t’a shlyesh dot kurrë!- Viktor Zhusti

 

Loading...