Me 9 gusht festoi ditëlindjen e 42-të, por për Hygerta Sakon, çdo moshë ka kënaqësinë e saj.
Për ishMiss-in, bukuria është thjesht fasadë, ndaj për 24- vite karrierë ka punuar fort që të qëndrojë në majë të piramidës.
Ajo ka treguar sekretet e jetës jashtë ekranit, nga marrëdhënia me vajzën te partneri i duhur për të.
Në superformë gjithmonë e më shumë. A mund të themi se tani po shijon kulmin e bukurisë dhe vetëbesimit?
Faleminderit për komplimentin! S’mund të them që po shijoj kulmin e bukurisë sepse tashmë s’jam më e re, por të vetëbesimit po. E them këtë, sepse tashmë jam e vetëdijshme për feminilitetin dhe sensualitetin që duhet të përcjellë një femër, që së bashku me virtyte të tjera, të bëjnë të ndihesh e bukur me veten.
Plus kësaj, jam shumë më e kujdesshme me veten, duke u kujdesur për ushqimin dhe duke u marrë me aktivitet fizik.
Në një “Instastory” ke ndarë me ndjekësit pa asnjë kompleks edhe moshën, pasi pak ditë më parë kishe ditëlindjen. Si ndihesh 42 vjeç?
Për mua mosha nuk ka qenë dhe as do të jetë ndonjëherë kompleks. Nuk dua të përmend nga ato shprehjet klishe “njeriu është sa vjeç ndihet”, por mund të them që çdo moshë ka bukurinë e saj. Ok, me disa rrudha më shumë, po ç’rëndësi ka, përderisa unë kam të njëjtën energji dhe dëshirë për ta jetuar çdo minutë njësoj sikur të isha 20 vjeç. Rëndësi ka të kesh shpirtin e ri dhe energjik, të jesh pozitive dhe ta duash jetën. Bukuria është thjesht fasadë, jo esencë.
Gjithmonë e qeshur dhe energjike. A ke ti një sekret?
E qeshura të zgjat jetën. Pozitiviteti po ashtu. Unë e jetoj jetën për veten time, nuk më intereson tjetri, nuk ndiej xhelozi, nuk gjykoj askënd. Nuk merrem me thashetheme, nuk kam komplekse të asnjë lloji. Kam një rreth të ngushtë shoqëror, ku ndihem mirë dhe marr energji pozitive. Kam një familje të mrekullueshme dhe një vajzë që më mbush me lumturi çdo ditë. Kam një punë që e dua shumë dhe e bëj me pasion. Ky është sekreti im. Jetoj jetën time me pozitivitet e optimizëm dhe thjeshtë.
Çfarë po shijon në maksimum këto kohë, duke qenë se vitet ikin shpejt?
Unë të gjitha i shijoj në maksimum, në çdo kohë e në çdo moshë. Ndoshta tani kam një dëshirë më të madhe të udhëtoj e të shoh vende të reja dhe kur më jepet rasti, nuk mendohem dy herë.
Kalojmë te paratë, a janë ambicia jote dhe a ke një qëllim në kokë që duhet ta arrish?
S’kanë qenë kurrë dhe as do të jenë. Për mua kanë rëndësi të tjera gjëra në jetë. Bëj edhe pa jetën e luksit, edhe pa pushime në vende ekzotike, edhe pa veshje e makina të shtrenjta. Kush më njeh nga afër, e di shumë mirë këtë gjë dhe se çfarë jete të thjeshtë bëj. Për mua kanë rëndësi njerëzit që ke pranë, koha që kalon me ta, suksesi në punë e në jetën personale. Ky është qëllimi im.
Mendon ndonjëherë që nuk gjen meshkuj të moshës tënde kaq në formë, ndaj s’është çudi që të të shohim edhe në krah të një më të riu?
Jo, nuk e shoh veten me dikë më të ri. Nuk do ndihesha vetvetja. Nuk i paragjykoj çiftet e këtij lloji, por vetë nuk i preferoj këto lloj lidhjesh. Veten e shoh veç me dikë të pjekur, të realizuar e me eksperiencë në jetë. Dhe e keni shumë gabim që nuk gjenden meshkuj të moshës sime që janë në formë. (Qesh)
Një personazh televiziv si ty, ç’bën ndryshe nga vajzat e thjeshta që jetojnë në një metropol si Tirana?
Çfarë bëj ndryshe? Asgjë. Sepse jam më e thjeshtë sesa edhe këto vajzat e thjeshta që përmendët. Nuk dal club-eve, as lokaleve të Bllokut apo ndonjë zonë tjetër In, preferoj atletet e pantallonat e shkurtra e kafe me mikeshat e mia të ngushta. Nuk shkoj në qendra estetike, as te parukierja, përveçse kur kam emision apo ndonjë rast të veçantë. Nuk e kaloj fundjavën jashtë shtetit, as dal për shopping çdo dy ditë. Kështu që, sikur të më quani edhe mua një nga vajzat e thjeshta të Tiranës, nuk me ngel hatri fare./Panorama