Policia njofton se janë ashpërsuar masat për të gjithë drejtuesit që nuk respektojnë këmbësorët, ndonëse vihet theksi se edhe këta të fundit nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke u bërë burim aksidentesh.
“Janë të shumtë ata që drejtojnë një automjet dhe ankohen se këmbësorët janë të pakujdesshëm dhe se nuk respektojnë detyrimet e rregullat e qarkullimit rrugor, duke u bërë shkak për aksidente të rënda, shpeshherë edhe me pasoja fatale për këta të fundit.
Por nga ana tjetër, nuk janë të paktë në numër, drejtuesit e mjeteve të kategorive të ndryshme që me sjelljen e tyre në trafik, janë po aq të rrezikshëm duke mos dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimet e tyre apo kur ata kanë filluar lëvizjen në ato rrugë ku vendkalimi i tyre mungon.
Nga vëzhgimi i rrugorëve të kryeqytetit, në lidhje me sjelljen e përdorueseve të mjeteve ndaj këmbësorëve janë dokumentuar dhe proceduar administrativisht 67 drejtues mjetesh përgjatë 48 orëve të fundit”, njofton policia rrugore.