Gjykata e Catanias cakton seancën gjyqësore të rradhës për Habilajt

Gjykata e Catanias në Itali ka caktuar 12 marsin si datën e seancës së radhës për gjyqin ndaj grupit të vëllezërve Habilaj.

Në këtë seancë priten të marrin fjalën avokatët mbrojtës të personave të arrestuar, italianë e shqiptarë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në vlerë 20 milionë euro, trafik ilegal armësh dhe organizim i strukturuar kriminal.

Në urdhër-arrestin e firmosur nga prokurorja Loredana Pezzini, në kuadër të operacionit “Rosa dei Venti”, i cili është ekzekutuar në tetor të 2017, thuhet ndër të tjera se, kjo bandë trafikantësh droge ishte ndërtuar mbi një organizim të strukturuar kriminal ku çdo anëtar i saj kishte një rol të caktuar.

Drejtuesi ishte Moisi Habilaj i ndihmuar nga vëllai i tij Florian Habilaj i thirrur me nofkën “Lolo”, i cili është shpallur në kërkim, si dhe nga kushërinjtë Meridan e Armando Sulaj, nga Nezar Seiti e Fatmir Minaj e nga shtetasit italianë Vincenzo Spampinato, Antonio Riela, Angelo Busaca, e Gianluca Passavanti.

Në dosjen e Prokurorisë së Catanias përmendet disa herë emri i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili para disa ditësh është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i pandehur në çështjen për trafik droge dhe organizim të grupit të strukturuar kriminal.

Loading...