Presidenti Ilir Meta ka emëruar anëtarin e 6-të të Gjykatës Kushtetuese Përparim Kalon. Duket se mes Aleksandër Tomës e Përparim Kalos, Presidenti ka zgjedhur këtë të fundit.
Kalo bëhet dhe anëtari i 6-të i Gjykatës Kushtetuese dhe zyrtarisht kjo Gjykatë është funksionale pasi ka përmbushur kushtin minimal të funksionimit prej 6 anëtarësh.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është apeluar nga ambasadorja amerikane, e cila kërkoi bashkëpunimin e Presidencës dhe Kuvendit për ta bërë funksionale këtë institucion para 31 dhjetorit.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka administruar sot nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese (vakancë e parakohshme).
Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me vendimin nr. 59, datë 23.12.2020, ka vendosur miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, e rishpallur në datën 27.09.2019 dhe e rishpallur për herë të tretë në datën 24.09.2020, me renditjen e kandidatëve si më poshtë:
1) Përparim Kalo 90.29 Pikë
2) Aleksandër Toma 75.57 Pikë
Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi;
si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, 7/dh pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pa asnjë vonesë, me Dekretin nr. 11882, datë 23.12.2020, ka vendosur që:
– Zoti Përparim Kalo emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.”-njofton Presidenca.