Nexhat Çoçaj, ish drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit është liruar nga akuzat nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Derisa në pikën 1 të aktakuzës prokuroi ka hequr dorë nga ndjekja penale pasi është arritur parashkrimi absolut i veprës penale.
Gjykata mori aktgjykim lirues edhe për dy të akuzuarit tjerë, Bekim Thaçit e Bedri Çejku.
Tre të lartcekurit akuzoheshin nga prokuroria për keqpërdorim të mjeteve të ndara për manifestimin “Java e dëshmorit Remzi Ademaj.
Në seancën e sotme mungoi Nexhat Çoçaj dhe prokuroi i rastit Mehdi Sefa.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi në arsyetimin e aktgjykimit lirues, në prani të anëtarëve, gjykatësit Xheladin Osmani dhe Kymete Kicaj, tha se Gjykata ka vepruar sipas udhëzimeve të Apelit.
“Gjykata veproi sipas udhëzimeve të Gjykatës se Apelit. Fondet e ndara për manifestimin e javës se dëshmorit Remzi Ademaj, gjykata gjeti se te njëjtat janë subvencione, dhe se për të njëjtat nuk ka pasur procedurë të tenderimit. Andaj nuk mund të konsiderohet se kanë manipuluar me fondet dhe mjetet financiare të ndara për manifestimin e javës së dëshmorit”, tha kryetarja e trupit gjykues. /kallxo.com