Greqia duket e vendosur ne nismen e saj per zgjerimin me 12 milje te kufirit detar me Shqiperine.
Kryeministri grek, Kyriakos Micotakis gjatë fjalës së tij në parlament ka deklaruar se pas vendimit të Greqisë për të zgjeruar me 12 milje ujërat territoriale në detin Jon, procesi në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nuk ka pse të hasë në mosmarrëveshje.
“Në vetëm gjashtë muaj, Greqia ka nënshkruar një marrëveshje gjeografike të demarkacionit me Italinë dhe Egjiptin.
Dhe gjithashtu ka një dakordësi në parim me Shqipërinë për të nënshkruar një marrëveshje të përbashkët, në mënyrë që çështja e demarkacionit të zonave detare midis dy vendeve të referohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Sidoqoftë, meqenëse Greqia ka zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje, mosmarrëveshja mbi vendimin e Hagës do të jetë relativisht e kufizuar. Por në mënyrë simbolike dhe thelbësore ky vendim është shumë i rëndësishëm.”, tha kryeministri grek.
Kreu i ekzekutivit theksoi se shtrirja e ujërave territoriale në dymbëdhjetë milje është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit.
“E drejta për të zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje është një e drejtë e njëanshme, e patjetërsueshme e vendit.
Nuk diskutohet, nuk kushtëzohet. Është detyra e vendit të mbrojë sovranitetin e tij dhe ne këtë po bëjmë.”
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias përgëzoi Shqipërinë për angazhimin e treguar në zgjidhjen paqësore të çështjeve të mbetura pezull.
Shefi i diplomacisë helene theksoi se perspektiva e Shqipërisë për tu integruar ne Bashkimin Europian shtron nevojën për marrëdhënie të mira strategjike mes Athinës dhe Tiranës.