Atentati i ndodhur mbrëmjen e së dielës në “Don Bosko”, i mori jetën 58-vjeçares Mimoza Paja, ndërsa 5 të tjerë mbetën të plagosur.
Një nga të plagosurat, por për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën, ishte dhe mbesa e viktimës, 10 vjeçe. Ajo qëndronte në lokalin ku punonte gjyshja e saj, pasi jetonte me të.
E ftuar në “Open”, gazetarja Glidona Daci, tha se vogëlushja jetonte me gjyshen, pasi prindërit e saj ishin të ndarë dhe se nëna kishte krijuar një jetë të re.
“Vajza e vogël është çarë nga xhamat e thyer. Dhe vetë të plagosurit në momentet e para nuk kanë kuptuar çfarë ka ndodhur. Vajza jetonte me gjyshen sepse prindërit e saj ishin të divorcuar, e ëma ka rinisur jetën dhe gjyshja duhej të kujdesej për të”, u shpreh ajo.