Nga Gjirokastra, drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka reaguar në lidhje me operacionin që goditi skemën e korrupsionit në Drejtorinë e Kufirit në Kukës duke çuar në pranga 17 efektivë, 14 në arrest shtëpie dhe tre të tjerë të pezulluar.
Nano deklaroi se asnjë punonjës policie që nuk e bën punën me ndershmëri nuk mund të qëndrojë në detyrë ndërsa u kërkoi agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me këto masa.
“Sot kemi ardhur në Gjirokastër pas një iniciative të Policisë së Shtetit për emërimin e katër rrugëve me emrat e Dëshmorëve të rënë në krye të detyrës. Kjo është për t’i dhënë rëndësinë që meritojnë dëshmorëve të kohëve moderne.
Sot është bërë njoftim zyrtar nga SPAK për disa masa sigurie për punonjës policie për shpërdorim detyre. Policia e Shtetit ka qenë në krah të agjencive të tjera ligjzbatuese.
Kam synuar dhe i qëndroj shumë fort pastërtisë së figurës. Ata punonjës policie që nuk e gjejnë veten për të bërë me ndershmëri punën.
Nuk mund të bëhet pis kjo me disa elementë që tradhtojnë kolegët në punë. I kërkoj agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me këto masa”, tha Gledis Nano.