Gledis Nano trondit me deklaratën për median franceze: ‘Operacionet dekonspirohen’

Përpara se Gledis Nano të shkarkohej nga posti i Drejtorit të Policisë së Shtetit, në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, ka thënë se gjatë kohës që ishte në detyrë, 14 kriminelë janë arratisur për shkak se ishin të informuar për operacionin.

“Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale”, ka thënë Nano në dokumentar duke shtuar se nuk dihej nga cilët persona vinte ky dekonspirim.

Megjithatë, në dokumentarin ku ai përshkruhet si “i hekurt”, shprehet se ka goditur fort mafian shqiptare.

“Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …..Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”. Më tej Gledis Nano thotë se për shkak të reformës në drejtësi, i është dashur të shkarkojë nga puna shumë kolegë.

“Ka një reformë të drejtësisë që po vazhdon në këto momente. Prokurorë dhe gjykatës janë shkarkuar dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë me policët tanë. Kjo gjë do pak kohë. Për këtë arsye me është dashur të sanksionojë shumë kolegë te mi në pozicione shumë të larta në detyrë. U shkarkuan. Kjo gjë sepse nëqoftëse një ditë do duam të integrohemi ne BE, duhet të përmbysim disa rregulla. Një nga këto është lufta kundër korrupsionit”.

Çfarë ndodhi në “Operacionin Plumbi i Artë”?

Me vendim nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 ( të cilëve iu referohet Gledis Nano) u shpallën në kërkim.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas 6 muajve hetime dhe me dëshmitë kyçe të dy personave tashmë të vënë në dispozicion të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha, ka bashkuar 18 dosje penale në një të vetme, në atë të Dumanit dhe Hoxhës, regjistruar në 14 prill 2022 për vrasje mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe përkrahje e autorit.

Mes emrave të tjerë të shpallur në kërkim janë Ervis Martinaj dhe Talo Çela, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet, Florenc Çapja i cili ndodhet në Dubai, Kamer Mehja dhe avokati Alban Bengasi për të cilin burimet thonë se ka manipuluar provat për dy vrasje në favor të grupeve kriminale. Po ashtu, si pasojë e konflikteve që kishte me bashkëshorten, avokati është konstatuar në përgjime duke i kërkuar grupeve kriminale të djegin e makinës e gruas me të cilën po divorcohej.

Në mesin e të ndaluarve, është edhe një efektiv polici në Lezhë, Leonard Palushi, ish-shef i policisë në Elbasan, që dyshohet se u jepte informacion grupeve kriminale dhe dekonspironte aksionet. Ai është një personazh i njohur për mediat, pasi ai ka parë me sy vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha nga 21 vjeçari Aldi Rama.

Nuredin Dumani i konsideruar një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit, u arrestua në Fier më 29 mars 2022 pas një tentativë të dështuar për të vrarë Talo Çelën. Bashkë me të, u vu në pranga ushtari i tij, Henrik Hoxhaj që e ndihmoi në arratinë e shkurtër.

Kujtojmë se Gledis Nano u shkarkua nga posti i Drejtorit të Policisë së Shtetit më 31 gusht. Lajmin e zyrtarizoi ministri i Brendshëm Blendi Çuçi gjatë mbledhjes së qeverisë./Shqiperiaime

Loading...