Grabitet banka në Urën Vajgurore, ja detajet….

Mësohen detaje të reja nga hetimet policore për grabitjen e bankës në Urë-Vajgurore disa ditë më parë. Grabitësit ishin 4 dhe janë larguar me një automjet në drejtim të Tiranës. Banka me nivel të ulët sigurie dhe sistem kamerash jo funksionale. Grabitja u realizua nëpërmjet shpërthimit të një sasie tritoli që ju vu bankomatit jashtë bankës.

Burime konfidenciale të hetimit bëjnë me dije  se sistemi i sigurisë në këtë bankë ka qenë shumë i dobët pasi alarmi ka shpërthyer pas daljes së grabitësve nga ambientet e brendshme të bankës, ndërkohë që kamerat e sigurisë në bankë nuk punonin.

Të njëjtat burime pohojnë se, pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë së bizneseve përreth bankës është konstatuar se grabitësit kanë qenë 4 persona të maskuar e me kapuç në kokë, të cilët pasi kanë shpërthyer bankomatin dhe kanë marr lekët që ndodheshin aty, kanë hyrë për disa minuta edhe brenda në bankë dhe më pas janë larguar me një automjet pa targa. Grupi hetimor ka ndjekur kamerat e sigurisë përgjatë rrugës Urë Vajgurore-Lushnje dhe aty, pas hyrjes së automjetit në autostradë në drejtim të Tiranës, policia ka humbur rrugëtimin e grabitësve.

Sipas policisë, mendohet që personat të jenë nga Tirana dhe dyshohet se janë autor edhe të disa tentativave të grabitjeve të bankave të nivelit të dytë në Burrel e Mamurras, ku pasi ka rënë alarmi janë larguar por nga dinamika e veprimeve, numri i personave dhe automjeti, që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë në këto banka, dyshohet se janë të njëjtë grabitës. Ndërkohë, të njëjtat burime, pohojnë se nuk dihet saktë sesa para janë grabitur në këtë bankë, ku edhe pse në momentet e para u deklarua nga ana e punonjësve të bankës një shumë prej 5 milion lekësh (të vjetra),mendohet që shuma grabitur të jetë shumë hërë me e lartë.

(BalkanWeb)

Loading...