“Grabova është një nga vendbanimet më të hershme në Shqipëri. Grabovarët do të mbahen mend për mjeshtëritë e tyre në punimet me dru përpunimin e bulmetit dhe të ndërtimeve. Edhe sot e kësaj dite, gjenden gjurmë të veprave si: mulli me ujë, sharrë”, shprehet ai.
Duke iu referuar historisë, Taçe shton se “Grabova ka qenë një fshat mesjetar i krijuar në shekullin e X”. Sipas gojëdhënave, në kohën e lulëzimit, Grabova kishte rreth 2000 familje dhe një e katërta e saj, e ka braktisur zonën brenda një dite në shekujt XVII-XVIII.
“Në periudhën e Mesjetës fshati Grabovë e Sipërme (atëherë qytet me 12.000 banorë) ka qenë në lulëzim të plotë, i ndërtuar krejtësisht nga vendasit. Dëshmi të gjalla janë dhe sot prania e tri urave me gurë, njëra prej tyre e periudhës antike si dhe Kisha e Shën Nikollas (Shë Kollit)”, shtoi ai.
Po ashtu kryetari i bashkisë Gramsh Taçe vlerëson Grabovën si një destinacion turistik në të gjitha stinët.
“Fshati Grabovë, përpos historisë ka një natyrë fantastike, me botë bimore të larmishme dhe potenciale të shumta për të zhvilluar sporte dimërore. Gjatë periudhës së dimrit, turistë vendas dhe të huaj ushtrojnë sportin e skive në pllajat e Grabovës. Në Grabovë mund të gjeni lehtësisht struktura akomoduese dhe ushqime tipike të zonës në hotelin e Grabovës”, shprehet ai./atsh