Gravura e rrallë, ja si ishte flamuri shqiptar 540 vjet më parë

Aurel Plasari

“Marrja e Krujës nga Mehmeti II” është njëra prej gravurave të punuara nga Jost Amman (1539-1591) që shoqërojnë veprën e Marin Barletit në vëllimin III të përmbledhjes “Kronika të turqve” (Chronicorvm Tvrcicorvm) (1578) nga Philippo Leonicero.

Bën përshtypje se si në qytetin që po digjet dhe ndërsa banorët po masakrohen, në njërën nga kullat e tij dallohet ende tek valëvitet flamuri me shënjesën heraldike të Kastriotëve, shqiponjën e zezë me dy krerë, sado që e skicuar “kalimthi”. E zmadhuar shënjesa nuk lë vend për dyshim.

“Marrja e Krujës nga Mehmeti II” është njëra prej gravurave të punuara nga Jost Amman (1539-1591) që shoqërojnë veprën e Marin Barletit në vëllimin III të përmbledhjes “Kronika të turqve” (Chronicorvm Tvrcicorvm) (1578) nga Philippo Leonicero.

Bën përshtypje se si në qytetin që po digjet dhe ndërsa banorët po masakrohen, në njërën nga kullat e tij dallohet ende tek valëvitet flamuri me shënjesën heraldike të Kastriotëve, shqiponjën e zezë me dy krerë, sado që e skicuar “kalimthi”. E zmadhuar shënjesa nuk lë vend për dyshim.

flamuri
(Me rreth flamuri shqiptar i vitit 1478)

Mbas vdekjes së Skënderbeut, në përfundim të një qëndrese prej më se një viti të garnizonit të Krujës, nën komandën e një venedikasi (një Jacopo da Mosto, simbas Romaninit ose një Piero Vettori, simbas Kronikës së Benedetto Deit), ndaj një rrethimi të egër, Kruja dorëzohej më 15 qershor 1478 e shtrënguar urie. Gjatë dorëzimit të qytetit, me gjithë premtimin e pushtuesit për t’i lënë banorët të delnin të lirë së toku me pasuritë e tyre, me urdhër të sulltanit u veprua ndryshe: meshkujt u therën, kurse femrat dhe fëmijët u morën skllevër për t’u përdorur nëpër haremet.

Bënë përjashtim vetëm disapak pasunarë, të cilët e blenë jetën e tyre duke paguar (Romanin, Storia documentata, IV, 379, ASV). Tursun-beu, kronikan i Mehmetit II, ka “argumentuar” kështu këtë “ndëshkim” të mbrojtësve të kryekështjellës së Arbërisë, Akça-Hisarit, nga ana e sulltanit: “Ati i Pushtimeve e kishte marrë dhe nënshtruar mbarë territorin e asaj fortese, si dhe kishte prerë rrugët nëpërmes të cilave i mbërrin asaj nga toka e nga deti nozullimet dhe ndihmat.

Deri aty u detyruan të pafetë e mallkuar sa të hanin padallim qen, mace dhe krimba. Ngase rruga e përshkuar në rastin e ekspeditës kundër fortesës së Shkodrës kalonte pranë, të tmerruar nga mundësia e një sulmi prej ushtrisë osmane, të pafetë pranuan të dorëzoheshin. Por kur ishte e qartë se ata qenë dorëzuar ngaqë nuk kishin ç’të hanin, sulltan Mehmeti u shpreh i mendimit se mëshira nuk do të hynte aspak në punë. Ndaj dhe, si shpërblim për kokëfortësinë e tyre, mbështetur në fjalën që thotë se “fara është shkak për shtim”, të pafetë besëpakë vajtën t’i bënin shoqëri shpatës ndëshkimore dhe, për mrekulli të një aso shoqërie, skeletet e trupave të tyre u dyfishuan në numër” (Turgun-Beg, Târih-i ebül’feth, 169).

Për venedikasin Navagero komandanti i qytetit së toku me familjen u çuan skllevër në Kostandinopojë (Navagero, Storia, 1153).

Ndërsa, simbas gjenovezit Benedetto Dei: “U mor kështjella [e Krujës] më 5 të shtatorit dhe brenda ishte komandant dhe guvernator Piero Vettori, të cilit me urdhër të Turkut të Madh ia prenë të dyja duart…” (La Cronica dall anno 1400 all’ anno 1500, 87 verso). Në “Shpalljen për pushtimin e Krujës”, lëshuar nga Mehmeti II fill mbas pushtimit të qytetit, ai nuk harronte të njoftonte: “Paskëtaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i kambanave dhe prishja e ligjeve.

Brenda në zemrat e të pafeve, ku kishte bërë vend pabesia dhe mëkati, paskëtaj do të çelë burbuqja e besimit në një zot të vetëm…” (“Fetih-name-i Akçehisar”, nga “Burime osmane”, 382). Në qytetin e zbrazur u vendosën kolonë turq, ndërsa vetë qytetit iu ndërrua emri; deri në shek. XIX të krishterët do ta kishin të ndaluar, me ndëshkim vdekjeje, hyrjen natën në qytezë (Jireček, Albanien, 83).

Loading...