Greqia del me vendim të ri/ Ja kush lejohet të kalojë kufirin nga Shqipëria

Edhe pse një ditë më parë zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas ka komunikuar se do të hapen në 1 korrik kufijtë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Turqinë në kuadrin e lehtësimit të masave kundër pandemisë, pasditen e së martës ai ka dalë me një komunikatë të re sqaruese për personat që do të lejohen të hyjnë në tokën greke.

Kryesisht për Shqipërinë, si vend i tretë, vërtetë dy pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës do të hapen prej 1 korrikut, por përsëri do të lejohen vetëm ata persona që kanë arsye të veçanta pune ose shëndeti.

Siç thuhet në deklaratën përkatëse të qeverisë greke pas konsultimeve në nivelin e BE, nga 1 korriku 2020 mundësia e hyrjes në Greqi për të gjithë banorët e përhershëm të vendeve anëtare vazhdon normalisht.

Ekziston mundësia e hyrjes për ata shtetas të vendit të tretë që kanë leje qëndrimi në Greqi, ndërsa bëhen përjashtime ,domethënë mund të hyjnë edhe shtetasit e vendeve të treta (anëtarë të një familje ku kryefamiljari është qytetar evropian), punonjës në sektorin e shëndetësisë dhe studiues, kujdestarë të të moshuarve, punonjës të kufirit, punëtorët sezonalë në bujqësi, personeli i punësuar në sektorin e transportit,- përfshirë marinarët, personeli diplomatik, personeli i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak, punëtorët e ndihmave humanitare gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

Do të lejohen edhe punonjës të transporteve , pasagjerë që udhëtojnë për arsye familjare, studentë, nënpunës të specialiteteve të veçanta ku punësimi i tyre është i dobishëm për ekonominë kombëtare dhe puna e tyre nuk mund të shtyhet ose kryhet nga distanca.

Ata që kanë një pasaportë greke ose Kartën special te identitetit (EDTO) janë gjithmonë të mirëpritur nga kudo qe ata vijnë – vazhdon deklarata.

Sipas deklaratës qeveritare, Greqia është duke ndërmarrë hapin tjetër për të rikthyer flukset e udhëtimit, por gjithnjë duke pasur qëllim mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve në industrinë e turizmit, banorëve të saj dhe destinacioneve turistike e vizitorët.

Lista me 14 vendet jashtë BE që publikoi Brukseli orët e fundit do të azhurnohet çdo dy javë.

Sa ju përket shtetasve të vendeve të treta, pra edhe atyre shqiptare, për të vërtetuar vendbanimin e tyre, mund të paraqesin lejen e tyre të qëndrimit, lejen e punës, kartën e identitetit,patentën e shoferit ose dokumente të tjera.

Të gjithë udhëtarët me destinacion tokën greke, do të duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë formularin e pasagjerëve për 48 orë para udhëtimit të tyre (Passenger Locator Form), i cili është në dispozicion në aplikacionin Visit Greece dhe në faqen e internetit travel.gov.gr.

Për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve, mjekët specialiste dhe inxhinierët kanë hartuar një program për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave epidemiologjike, mbi bazën e të cilit vizitorët do të jenë subjekt i marrjes së mostrave (testit Covid-19) pas hyrjes. Këta vizitorë duhet të ndjekin udhëzimet e Sekretariatit të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile.

Greqia, në bashkëpunim me partnerët e saj të Bashkimit Evropian, rezervon të drejtën të rishikojë politikën e saj për këto çështje në bazë të zhvillimit të të dhënave epidemiologjike –përfundon deklarata e zëdhënësit te qeverisë greke.

Loading...