Gruaja ‘e hekurt’ e drejtësisë, kryetarja e Prokurorisë së K*imeve të Rënda, Donika Prela, ka tronditur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrat e tij, duke i paralajmëruar se i pret burgu. Prela ka marrë në dorë të gjitha dosjet ‘e zeza’ të korrupsionit të qeverisë ‘Berisha’, rihapja e të cilave do iu çjerrë maskën me dhjetëra zyrtarëve të lartë, me në krye Sali Berishën.
Prokuroria ka nisur të hapë dosjet e aferave të ish-qeverisë “Berisha”. Gjatë kohës që vendi u drejtua nga kjo qeveri shpërthyen shumë skandale, por askush nuk shkoi para drejtësisë. Por së fundmi janë dhënë sinjale se kushdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve do të mbajë përgjegjësi. Prokuroria e K*imeve të Rënda ka vendosur të nisë një hetim nga e para për aferën e privatizimit të ARMO. Është prokurori Edvin Kondili, i cili ka vendosur të rishikojë nga e para të gjithë rrugën që është ndjekur në privatizimin e kompanisë.
“Vendosa: Kqyrjen dhe marrjen e një kopje e të gjitha veprimeve dhe të gjithë praktikën që ka ndjekur Ministria e Energjetikës dhe Qeveria Shqiptare për privatizmin e shoqërisë aksionere A.R.M.O. SHA, që nga momenti që është njoftuar shpallja e kësaj pasurie për tu privatizuar dhe deri në momentin e kalimit të pronësisë së ARMO – SHA si shoqëri akisonere me kapital shtetëror, tek shoqëria private “Taçi OIL” në masën 85% të ARMO nëpërmes kompanisë ‘Anika Mercuria Rafinery Associated OIL dhe AMRA OIL’”, thuhet në vendimin e prokurorit.
Por kjo nuk do të jetë e vetmja. ‘Sot’ ka mësuar se kjo ishte dosja e parë, pasi pas saj do të rihapen të gjitha aferat e tjera, që nga ajo e privatizimit të Albpetrol, ajo e OSHE, por dhe koncesionet që janë dhënë ndër vite. Burime të sigurta i thanë gazetës se kjo është një strategji e prokurorisë për t’i lehtësuar punën SPAK. Brenda 2-3 muajsh Prokuroria e Posaçme do të marrë jetë dhe sipas ligjit, dosjet e para që ajo do të marrë në shqyrtim janë ato të Krimeve të Rënda.
Pra, nëse prokurori Kondilli brenda 2-3 muajsh nuk ka mbyllur hetimet për ARMO, dosja transferohet te SPAK. Kështu do të vijohet dhe me dosje të tjera. Në ditët në vijim pritet që të rihapen dhe dosje për individë konkretë. Kryeprokurorja Arta Marku kërkoi hetim pasuror për këdo që ka qenë në hetim dhe nuk është gjykuar. Ka shumë ish-ministra dhe deputetë aktualë që janë me dosje në prokuroi dhe dje janë dhënë sinjalet se dhe dosjet e tyre do të rihapen.
Rrugët që do hapen
Burime shumë të sigurta nga Prokuroria e K*imeve të Rënda i thanë gazetës se për të gjitha ato çështje të bujshme që ka pasur akuza publike për korrupsion dhe nuk është dënuar askush do të ketë rihetim. Rasti i ARMO e dëshmon qartë këtë. Dy rrugët që do të ndiqen për të rihetuar aferat e qeverisë “Berisha” janë: E para përmes transferimit të dosjeve. Shumica e dosjeve të korrupsionit kanë qenë te Prokuroria e Përgjithshme dhe te Prokuroria e Tiranës. K*imet e Rënda kanë të drejtë të kërkojnë dosjen dhe të rinisin hetimet nga e para për këdo zyrtar të lartë. Rruga e dytë është ajo e hetimit pasuror. Kryeprokurorja ka nxjerrë një udhëzim, ku të gjitha dosjet korruptive do të hapen dhe do të verifikohet pasuria e të akuzuarve.
Dosjet që mbylli Llalla
Sa ishte Adriatik Llalla në krye të prokurorisë, vetëm ish-ministri Spiro Ksera u dë*ua për korrupsion, ndërsa të gjithë zyrtarët e akuzuar ja hodhën paq. Në zyrën e Adriatik Llallës janë bërë me dhjetarë kallëzime, por që për të gjithë u pushuan hetimet. Nëse i marrim me radhë, kur Veliaj mori postin e kryebashkiakut bëri dy kallëzime ndaj Bashës për abuzime me lejet e ndërtimit. Po ashtu ish-ministri Saimir Tahiri kallëzoi penalisht Bashën se tentoi të hidhte lënë helmuese në protestën e 21 janarit. Raste të tjera janë paditë ndaj Ridvan Bodes për rrugën Durrës-Kukës, apo ndaj Arben Imamit për abuzimet kur ishte ministër i Mbrojtjes. Gjithashtu është dosja e shitjes së detit, apo skandali i CEZ. Të gjithë ato dosje janë hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe janë mbyllur pa i dhënë sqarime askujt se përse u mor një vendim i tillë. Rasti i fundit i privatizimit të OSSH nga CEZ e tregoi qartë se si ishte mbyllur dosja, pasi gjykata e hodhi poshtë. Me udhëzimin që nxori Marku për hetim pasor dhe dosja për ARMO, janë sinjale se viti 2019 do sjellë reprezalje në politikë