Një mashtrues në Tiranë ka mundur që t’i ‘përlajë’ një gruaje 135 mijë euro duke e gënjyer se do hapte Call center. Por nuk mbaron me kaq.
Një 30-vjeçar me iniciale Q.K. është arrestuar ditën e sotme në Tiranë, për shkak se kishte mashtruar një shtetase duke i marrë kësaj të fundit 135 mijë euro me justifikimin se do t’i investonte në Call Center. I riu nga Kosova akuzohet se duke shpërdoruar besimin e dhënë, ka përfituar shumën në fjalë.
Policia e kryeqytetit ka përfunduar operacionin e koduar “Mysafiri”. Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi me iniciativë i Q. K., 30 vjeç, banues në Kamenicë, Kosovë, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky person dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135000 euro nga një shtetase, me pretendimin se do t’i investonte në call center. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.