Kuçova u trondit sot nga një ngjarje e rëndë, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një banesë, mbetën të bllokuar çifti i të moshuarve. Fatkeqësisht gruaja, Alije Kosova humbi jetën, ndërsa burri i saj, Mustafa, ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40 minuta në lagjen “11 Janari” në këtë qytet. Dy bashkëshortët ishin zgjuar herët për të pirë kafen e mëngjesit, por pasi kanë ndezur bombolën e gazit, bombola ka shpërthyer. Si pasojë e shpërthimit, banesa është shembur tërësisht, duke zënë poshtë rrënojave dy bashkëshortët. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe zjarrfikësish, që kanë bërë të mundur nxjerrjen fillimisht të 84-vjeçares Alije Kosova që ishte pa jetë poshtë rrënojave dhe pas saj kanë nxjerrë 86-vjeçarin Mustafa Kosova, që ishte plagosur rëndë.
I plagosuri Mustafa Kosova është transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi mori ndihmën e parë ai u transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi ka pasur dëmtime dhe djegie në më shumë se 70% të trupit, ndërkohë që viktima është transportuar drejt morgut për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Bashkëshortët Mustafa dhe Alije Kosova jetonin të vetëm në banesë,3 djemtë dhe vajza ishin të martuar dhe jetonin jashtë shtetit. Viktima ishte e paralizuar prej 2-vitesh dhe për ta kujdesej gjatë ditës një grua që paguhej nga fëmijët, e cila pastronte dhe gatuante. Komshinjtë e familjes Kosova tregojnë se shpërthimi ishte i fuqishëm, sa në një moment iu është dukur si tërmet. Më pas ata pohojnë se dolën jashtë dhe mësuan çfarë kishte ndodhur.