Gruaja e familjes tregoi përballjen me autorët me automatikë dhe momentin kur ata i lidhin bashkëshortin, djalin, dhe më pas edhe atë, ndërsa bërtisnin gjatë gjithë kohës “policia, kontroll për armë”.
Ajo tha se autorët morën para dhe sende të tjera me vlerë, ndërsa shtoi se ata kanë rënë pre e grabitjeve edhe herë të tjera.
“Isha në gjumë, dëgjova zhurmat. Kishte dalë burri, kishte hapur derën dhe i thonë “policia, kontroll për armë”. Kapin burrin dhe e lidhin dhe e përplasin në tokë. Shkojnë sipër, marrin djalin, e lidhin dhe e sjellin këtu poshtë të burri.
Dal në derë dhe shoh ata me automatikë dhe me maska, më kapin dhe mua dhe më shtrijnë te këmbët e burrit, dhe bërtisnin “mos lëvizni, policia, krehje e zonës”.
Na kanë marrë telefona, lekë, çfarë kanë gjetur. Burri bërtiste, i vunë dhe ngjitëse në gojë. Ka qenë goca në katin e dytë, ka një fëmijë të vogël 6 vjeç. Është trembur djali. Burri punon në ndërtim privat me gjithë djalin. Ne në shtëpi.
Na ka ndodhur dhe herë tjetër, jo në shtëpi, kanë marrë motorin këtu përjashta”, tregoi gruaja.
Grabitja në banesën e familjes Hysa ndodhi mesnatën mes të enjtes dhe të premtes në fshatin Qinam. Autorët, 3 persona të maskuar dhe të armatosur, hynë në shtëpi dhe lidhën pjesëtarët nën kërcënimin e armëve.