Rreth 300 nxënës të shkollave të mesme të qarkut të Vlorës janë pjesëmarrës të edicionit të tretë të festivalit “Gurra Folk Fest”, që çeli siparin sot në qytetin e Sarandës.
Ky festival organizohet nga Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale Vlorë dhe me Qendrën e Kulturës dhe Artit Vlorë.
Drejtori i DRKK Vlorë, Orgest Feimi, tha për ATSH-në se “në këtë festival marrin pjesë mbi 20 shkolla të mesme, me rreth 300 nxënës që performojnë. Mes një atmosfere fantastike nxënësit shpalosën talentin e tyre në këngë dhe valle folklorike”.
Sipas tij më 25 mars do të zhvillohet dita e dytë e festivalit në Vlorë, ku do të marrin pjesë shkollat e bashkisë Himarë, Selenicë dhe Vlorë.
“Ndërsa në 29 mars është dita finale e festivalit, në tetarin “Petro Marko” me shkollat që janë kualifikuar nga dita e parë dhe e dytë”, tha Feimi.
Juria përzgjodhi për të marrë pjesë në natën finale shkollat e Delvinës, Livadhjasë dhe Konispolit.
Festivali zhvillohet mbi një platformë të qartë e të detajuar nga DRKK Vlorë dhe pritet të jetë një tjetër arritje në fushën e trashëgimisë shpirtërore pas aktivitetit, po me shkollat e mesme “Rini & Polifoni”, zhvilluar pak kohë më parë/atsh