Habit me deklaratën djali i biznesmenit Ruzhdi Hoxha që u gjet i vrarë dhe mbuluar me gurë prapa Dajtit.
Ai ishte deklaruar i zhdukur dy javë më parë, ndërsa ka dyshime të forta se autori i vrasjes është shoku i tij Fredi Rrushi, ndonëse ky i fundit e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka folur edhe djali i madh i biznesmenit, Saimir Hoxha, ditën që ka shkuar në komisariat për të denoncuar zhdukjen e të atit.
Ai tha se bashkë me të afërm e kanë kërkuar viktimën për katër ditë, para se të shkonin në polici. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, djali i viktimës, ka thënë se pasi ka pyetur gjithë miqtë dhe të njohurit e të atit, ka marrë në telefon edhe Fredi Rrushin, të cilit i ka thënë se babanë e tij e ka lënë në mesnatë në zonën e treshit në Tiranë dhe se do të vinte ta merrte një vajzë.
Gjithashtu ai është shprehur në komisariat se i ati ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe bënte jetë të shthurur.
Pjesë nga dëshmia e Saimir Hoxhës:
Unë jam djali i madh i Ruzhdi Hoxhës. Paraqitem në komisariat për të denoncuar faktimin e largimit nga banesa të babait tim pasditen e 20.10.2021. Nga banesa babai im ka dalë me E.T i cili erdhi e mori në shtëpi me mjetin e tij por nuk e di ku do të shkonin. Pasi babi nuk po vinte në banesë e kam telefonuar dhe telefoni më dilte i fikur. Që nga data 20 tetor as unë dhe as familja ime nuk kemi asnjë lloj kontakti se ku është, ku ka shkuar apo çfarë i ka ndodhur. Në momentin që babai është larguar nga shtëpia me E.T të cilin e njoh më parë pasi është shok dhe mik i familjes sonë pasi ne atë e njohim të gjithë. Pasi babi nuk po vinte në banesë dhe ne kemi humbur kontaktet me të, së bashku me E.T dhe vëllain tim e shumë të afërm, kemi kërkuar në hotele dhe vende që ai zakonisht i frekuenton, por na thanë që nuk e kishin parë. Në këto kushte jemi paraqitur në Komisariatin e Policisë. Ishim në merak për të pasi është e hera e parë që ndodh një gjë e tillë, se ai kur nuk vjen në shtëpi apo i del ndonjë punë, na njofton dhe na thotë se ku do të jetë. Unë kam për të thënë që babi im ka pas bërë një jetë shumë të shthurur si person, pasi ka qenë përdorues i kokainës. Dilte çdo natë me shokët dhe ka pasur raste të vazhdueshme që kur pinte shume pije apo konsumonte lëndë narkotike, qëndronte duke fjetur nëpër hotel për dy ose 3 ditë, por të paktën na vinte në dijeni për vendndodhjen e tij. Nisur nga fakti i fikjes së telefonit të tij si dhe mos njoftimit për vendndodhjen, dyshuam se ai mund të kishte ndonjë problem serioz . Babai im në dijeninë time nuk i ka pasur borxh njeriu, të gjitha borxhet që ka pasur më parë, ia kam paguar unë para tre vitesh. As konflikte nuk ka pasur. Unë gjatë kësaj kohe kam takuar disa persona me të cilët babi im ka lidhje shoqërore, si E.B i cili më ka thënë se bashkë me E.T e kishin lënë babain me Fredi Rrushin. Më pas unë kam marrë në telefon Fredi Rrushin dhe i kërkova takim për të pyetur se ku është babi, pasi Fredi ishte personi i fundit që e kishte takuar. Fredi më ka thënë se nuk jam në shtëpi por kam ikur tek puna në Martanesh, dhe më ka thënë në telefon se babin tënd e kam lënë në mesnatë te treshi, dhe do të vinte ta merrte një gocë, një shoqe e tij, kaq më ka thënë.