Hahn: Opozita të mos bojkotojë, anëtarësimi në BE objektiv i përbashkët

“Anëtarësimi në BE është një objektiv i përbashkët, duhet dialog ndërpartiak, qeveria ka detyrimin të krijoje kushtet, ndërsa opozita të mos e bojkotojë”, deklaroi sot nga Brukseli, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherin dhe ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në përfundim të takimit të 10-të të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit (KSA) midis Shqipërisë dhe BE-së, Hahn u bëri thirrje partive politike të bashkëpunojnë. “Një mundësi e mirë bashkëpunimi mes partive politike është reforma zgjedhore”, deklaroi ai.

Hahn deklaroi se BE inkurajon organet ligjzbatuese shqiptare të mos ndalen në luftën kundër krimit të organizuar. “Inkurajojmë organet ligjzbatuese të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar”, deklaroi ai.

Komisioneri Hahn tha se procesi i vetingut po jep rezultate të mira por theksoi se duhen ngritur edhe organet e reja të drejtësisë.

“Ne jemi të kënaqur me procesin e vetingut. Të gjithë ata gjyqtarë që janë pushuar nga puna, gjysma e tyre nuk kanë pasur kualifikimet e duhura. Ky proces tregon se kemi rezultate konkrete. Por gjyqtarët e përjashtuar duhet të zëvendësohen por dhe të ndërtohen organet e reja te drejtësisë”, deklaroi ai.

Hahn përgëzoi Shqipërinë edhe për progresin e bërë në fushën e ekonomisë.

“Shqipëria ka bërë progres edhe në fushën e ekonomisë. Kemi vërejtur me kënaqësi çështjen e punësimit dhe klimën e mirë të biznesit që po krijohet”, deklaroi ai.ATSH

Loading...