Në bajpasin e Vlorës punimet po avancojnë me ritme të shpejta për të bërë të mundur që ky segment të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve në datën 15 korrik.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet në këtë aks të rëndësishëm, i cili do të lehtësojë lëvizjen drejt bregdetit të jugut.
“Jemi angazhuar që të kapim datën 15 për të hapur këtë aks rrugor. Kemi kërkuar bashkëpunimin e Policisë Rrugore për të bërë të mundur punën me ritme të shpejta, në mënyrë që rruga të hapet në mënyrë provizore duke ruajtur tërë parametrat sa i përket sigurisë rrugore, për t’i dhënë një frymëmarrje lëvizjes në jug të vendit”, deklaroi ministrja.
Ajo vuri në dukje se përgjatë fundjavave ngarkesa në qytetin e Vlorës është shumë e madhe, por, vijoi ajo, ata qytetarë që kërkojnë të aksesojnë jugun do të përdorin këtë rrugë, çka do të bëjë të mundur që trafiku të ndahet dhe Vlora të mos ketë atë ngarkesë që ka deri tani.
Ministrja paralajmëroi se përgjatë aksit rrugor që do të hapet provizorisht do të ketë prezencë të lartë të Policisë Rrugore, pasi rruga po hapet për të lehtësuar trafikun dhe jo për të bërë gara.
Balluku tha se si në të gjitha projektet që kemi trashëguar, edhe këtu kemi pasur probleme dhe vonesa në kryerjen e punimeve sipas afateve të përcaktuara, pasi mungonte një studim gjeologjik. Por, tha ajo, në të gjitha projektet kemi gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe me kosto të ulët për të mos rënduar projektet.
Balluku tha se ky projekt po realizohet me fondet e vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian dhe WBF.
“Është pjesë e rëndësishme e korridoreve që lidhin veriun me jugun dhe rajonet, gjë të cilën edhe BE dhe WBIF e kanë mbështetur. Këto janë pjesë projektesh që plotësohen duke dhënë kështu korridoret e ndërlidhjes”, tha Balluku. Aktualisht në këtë segment rrugor ka nisur puna për vendosjen e sinjalistikës.