Ndjenjë e veçantë se sa shumë jemi për njëri-tjetrin, në çdo kohë”, – kështu tha Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj pas vizitës që zhvilloi në Thumanë, bashkë me kabinetin qeveritar për të parë nga afër pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryeministri në detyrë Haradinaj u tha banorëve të Thumanës se ndante me ta këto momente të vështira.
“Është situatë jo e lehtë këtu tani. Ka familjarë që kanë humbur shumë anëtarë. Shihet se është zgjidhur pasoja e strehimit e kujdesit tjetër. Kryesorja është dhimbja për të vdekurit pastaj edhe ajo që duhet gjetur zgjidhje për atë që kanë mbetur pa strehë. Më vjen mirë që sadopak edhe Kosova iu është gjetur afër bashkëkombësve të vet, vëllezërve dhe motrave të tyre këtu në Thumanë, por edhe në Durrës e kudo”, – tha Kryeministri në detyrë Haradinaj.
Më tej ai tha se nuk është diçka e jashtëzakonshme, por është njerëzore, normale që ne të jemi për njëri-tjetrin. “Kishim pas dëshirë që të jemi bashkë vetëm në gëzime, kësaj here është për dhimbje”, – tha Haradinaj.
Kryeministri në detyrë Haradinaj ka vizituar banorët që po qëndrojnë në tenda, ndërsa familjeve që u kanë humbur familjarët e tyre u ka shprehur ngushëllime për humbjen e të dashurve në këtë tragjedi.
Më pas Kryeministri Haradinaj është njohur edhe me tragjedinë e familjes Cara në Thumanë, e cila humbi 23 persona. Banorët e Thumanës i kanë shprehur atij falënderimet për njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët ishin të parët që kishin arritur për t’iu ofruar ndihmë, duke shpëtuar edhe jetë njerëzish dhe duke krijuar siguri për të mbijetuarit e këtij tërmeti.
Kryeministri në detyrë Haradinaj sot fillimisht e ka nisur vizitën e tij në Durrës, i pritur nga Presidenti Ilir Meta, ku shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për t’u qëndruar pranë të prekurve nga tragjedia e 26 nëntorit. /KosovaPress/