Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se nuk do të tolerojë asnjë provokim nga ana e Serbisë “Do të marrim masa, nuk po paragjykoj çfarë masash, po edhe na dimë me ia dalë vetë”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë, i pyetur rreth Samitit të Berlinit, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se aty do të ripërsëriten qëndrimet e derimëtanishme të të dyja palëve pa ndryshuar.
“Qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar, shpresoj që atje të jemi më unifikues”, ka shtuar ai
Haradinaj është ndalur edhe te qëndrimi i protestës së Lëvizjes Vetëvendosja kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Sipas tij, veprimet e tilla janë ndërhyrje në drejtësi. Të gjitha këto komente, Ramush Haradinaj i bëri të premten, pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai, ndër të tjerash, bëri të ditur se ekzekutivi kosovar ka ndarë 390 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, 1 milion euro të tjera për kompensimin e dëmeve nga të reshurat në Rahovec, kurse i ka liruar nga taksa mallrat, të cilat Bashkësitë Fetare i përdorin për ekzistimin e tyre.