Është një nga specialitetet më të shijshme të kuzhinës tradicionale.
Traditë e të gjitha trevave e krahinave shqiptare, Harapashi është një gatim fantastik, i cili sot zë një vend të rëndësishëm në menutë e restoranteve tradicionale ashtu si edhe në recetat e përgatitura nga amvisat në shtëpi.
Dikur, ai ishte një ndër gatimet e përgatitura në raste festash apo kur shtëpinë e vizitonin miq dhe mysafirë.
Zakonisht, Harapashi shërbehet si meze në tryezë për të shoqëruar gatime të tjera tradicionale duke u shtuar më shije e lezet.
Ai kombinohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, byrekë, mishra të ndryshëm, salcë kosi e turshi e shumë e shumë gatime të tjera të kuzhinës tradicionale shqiptare.
AgroWeb.org sugjeron më poshtë recetën tradicionale të përgatitjes së harapashit me të brendshme qengji krejt lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Harapashit të Stanit
Përbërësit
Një tas mesatar me mëlçi qengji
Pak tul mish qengji (nëse preferoni)
1 kokërr qepë mesatare
2-3 lugë gjalpë i freskët
5-6 filxhanë çaji lëng nga mëlçitë
2 filxhanë çaji me miell misri
Nenexhik
Përgatitja
Ky gatim përgatitet me të brendshmet e qengjit. Mëlçitë zihen në ujë me kripë përreth 20-30 minuta.
Më pas hiqen nga zjarri, lihet të ftohen dhe priten përmes një thike të mprehtë në kubikë të vegjël.
Lëngu i mëlçive hiqet mënjanë pasi do përdoret për përgatitjen e harapashit.
Në vijim, në një tigan shtojnë qepën e grirë hollë, e kaurdisim me pak gjalpë të freskët.
Shtohen të brendshmet, nenexhikun e grirë hollë kaurdisen pak dhe më pas shtohet lëngu i të brendshmeve.
Sapo lëngu të nisë të zjejë shtohet mielli i misrit.
Masa lihet të zjejë derisa të trashet pak dhe të shkëputet lehtë nga anët e tenxheres.
Kur shërbehet, harapashi vendoset në një pjatancë, i kalohet përmes një luge sipër duke krijuar formën e dallgëve. Sipër spërkatet me disa pika gjalpë të freskët të skuqur./AgroWeb.org