Kush nuk është vaksinuar nuk mund të marrë pjesë në dasma dhe klube nate. Ky është vendimi i marrë nga qeveria e Kosovës, i cili u bë me dije nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin e OHT-së.
Më tej në njoftim thuhet se stafi i këtyre sektorëve duhet të jetë i vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës, deri në datën 12 gusht.
“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit. Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, thuhet në njoftim.
Ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht.