Hasudeja është një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare, e thjeshtë dhe e lirë, pa shumë shpenzime.
Hasudeja si bazë për gatimin ka niseshtenë, është e veçantë në shije dhe pëlqehet për pjesën e jashtme që rezulton krokante, ndërsa brenda e butë dhe e shkrifët.
Përbërësit për hasudenë:
– 2 gota e 1/2 ujë
– 1 gotë e 1/2 sheqer
– 1 gotë niseshte
– 80 gr gjalpë
– 1 e verdhë veze
– kanellë dhe arra sipas dëshirës
Përgatitja e Hasude-s:
Në një tenxhere të thellë vendosim 1 gotë e 1/2 ujë, sheqerin dhe gjalpin dhe e lëmë të bjerë në valë.
Në një tas të thellë hedhim gotën tjetër të ujit ku tresim gjithë sasinë e niseshtes. Në momentin që uji bie në valë bashkojmë niseshten dhe trazojmë me lugë druri, derisa masa të trashet dhe të shkëputet nga anët e tenxheres. Nëse duam të shtojmë kanellë dhe arra, e bëjmë 1 moment përpara se të hedhim niseshtenë në ujin e valuar.
Shtrojmë hasudenë në një tavë, e lyejmë në sipërfaqe me të verdhë veze të përzier me 1 lugë ujë dhe e fusim në furrën e paranxehur në temperaturë 200-210°C, derisa të formojë njëfare koreje në sipërfaqe apo cipe të kuqerremtë.