Kjo kishë ndodhet mbi një kodër rreth dy orë në lindje të qytetit të Himarës.
Në një mbishkrimi që gjendet i pikturuar mbi portën perëndimore të kishës, thuhet se ndërtimi i saj u përfundua në 10 prill të vitit 1795. Kisha është e tipit bazilikë me tre nefe, me përmasa të brendshme 10,10 x 5,10 m.
Ambienti i altarit ndahet nga një ikonostas prej muri mjaft të lartë, me tri hyrje.
Mbi frontonin e murit qendror ngrihet kambanorja, ndërsa në lindje përfundon me një absidë cilindrike.
Ambientet e naosit dhe altarit janë të pikturuara me afreske dhe mbishkrime me vlera të rëndësishme artistike dhe historike.
Në krah të kishës ndodhet ndërtesa gjysmë e rrënuar e manastirit. Ajo është dykatëshe, kati i poshtëm i së cilës ka shërbyer për katoje, ndërsa i sipërmi për banim. /atsh