Nga Skema Kombëtare e Financimit prej AZHBR-së për vitin 2020, bletarët përfitojnë një mbështetje prej 1 mijë lekësh për koshere, me një financim deri 150 mijë lekë për parqet e bletëve.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot historinë e Kastriotit, një bletari nga Përmeti që e nisi punën e tij me 4 koshere e sot numëron 71 të tilla.
“Në fshatin malor Ogdunan të Përmetit, aty ku sipas llafazanëve të Tiranës e mallkimtarëve të rrjeteve sociale ka vetëm mjerim e braktisje dhe ku midis natyrës përrallore Kastrioti ka ngritur parkun e bletëve, nga të cilat prodhon mjaltin e më pas rakinë e mjaltit, uthullën e mjaltit e pomadën e propolisit me veti kurative”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi si një tjetër shembull mbresëlënës, mes mijëra e mijërave nga fshati real shqiptar.
“Një tjetër shembull mbresëlënës mes mijëra e mijërave nga fshati real shqiptar, ky i një përmetari “për t’u pirë në kupë”, që pavarësisht vështirësisë së rrugës që të shpie në vendlindjen e tij, 670 metra mbi nivelin e detit, nuk qahet, nuk shan, nuk rri kot, por krijon sukses shembullor duke fituar me punë, dashuri dhe përkushtim për sipërmarrjen e tij”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, këtë vit Kastrioti ka aplikuar në platformën https://e-albania.al/ për mbështetje në mbarështimin e bletëve, nga Skema Kombëtare e Financimit prej AZHBR, skemë nga e cila vitin e kaluar përfituan financim 30 bletërritës të Përmetit dhe 715 nga e tërë Shqipëria.
“Vazhdoni thoni që s’dinë “fshatarët” ta përdorin, vazhdoni!” – u shpreh kryeministri.
Drejtorja e AZHBR-s, Frida Krifca infomoi se nga 32 bletarë që kanë aplikuar nga Përmeti, 30 kanë përfituar financim nga skema kombëtare e vitit 2019./atsh