Ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë dhe ndër të parat të pranuara në UNESCO është Gjirokastra, që ndryshe njihet edhe si qytet muzeal apo “qyteti i gurtë”.
Arkitektura është një nga karakteristikat e veçanta, por simbol kryesor për këtë qytet është Kalaja e Argjiros, transmeton Koha.net.
Kalaja ka një sërë pikash atraktive, të cilat do të mund të vizitohen, dhe për të cilat duhen orë të tëra.
Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490.
Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore.
Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.
Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore.
Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.
Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.
Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.
Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos.
Pika ku qëndron aktualisht aeroplani është shumë pranë mureve të kalasë së Gjirokastrës, nga ku shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth.
Ndonëse tani kjo Kala konsiderohet si atraksion turistik, deri në vitin 1968 ajo ka pasur namin e saj edhe ogurzi, ngase një pjesë e saj ka shërbyer si burg, i cili është njohur si “burgu i shtatë penxhereve”, ku që nga ajo kohë e deri më sot vazhdojnë të mbesin mbishkrimet e të vuajturve.
E tërë kjo histori që përfaqësojnë Kalaja e Argjiros dhe Gjirokastra përgjithësisht, ka bërë që të jetë atraktive për turistë nga mbarë bota, e po ashtu edhe të vizitohet në mënyrë të organizuar edhe nga profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët i rastisëm aty./a.m.