Arkitektura është një nga karakteristikat e veçanta, por simbol kryesor për këtë qytet është Kalaja e Argjiros, transmeton Koha.net.
Kalaja ka një sërë pikash atraktive, të cilat do të mund të vizitohen, dhe për të cilat duhen orë të tëra. Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime.
Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490.
Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.
Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.
Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.
Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.
Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos.
Pika ku qëndron aktualisht aeroplani është shumë pranë mureve të kalasë së Gjirokastrës, nga ku shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth.
Ndonëse tani kjo Kala konsiderohet si atraksion turistik, deri në vitin 1968 ajo ka pasur namin e saj edhe ogurzi, ngase një pjesë e saj ka shërbyer si burg, i cili është njohur si “burgu i shtatë penxhereve”, ku që nga ajo kohë e deri më sot vazhdojnë të mbesin mbishkrimet e të vuajturve.
E tërë kjo histori që përfaqësojnë Kalaja e Argjiros dhe Gjirokastra përgjithësisht, ka bërë që të jetë atraktive për turistë nga mbarë bota, e po ashtu edhe të vizitohet në mënyrë të organizuar edhe nga profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët i rastisëm aty./a.m.