Konferenca Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kohës që jetoi dhe gjurmëve që la pas” po jep një kontribut mjaft me vlerë në fushën e albanologjisë me anë të ligjëratave të ndryshme nga studiues nga vende të ndryshme të botës, nga SHBA deri në Kinë.
Një nga prurjet mjaft interesante dhe me vlerë të madhe për studiuesit në fushën e albanologjisë është puna e profesoreshës Ke Jing e Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit e cila merret me gjuhën shqipe dhe historinë tonë në Pekin duke u mësuar studentëve atje mbi heroin tonë kombëtar Skënderbeun dhe gjithashtu mbi popullin shqiptar.
Gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare albanologia Ke Jing tha se është e interesuar për gjithçka që lidhet me popullin shqiptar për historinë, kulturën. “Kemi planifikuar që sivjet të botojmë ”Historinë e Skënderbeut” dhe që shpresoj të dalë sa më shpejt në botim”, tha ajo.
Ke Jing thotë se ndjehet shumë krenare që edhe studentët në Pekin merren shumë me Skënderbeun pasi në mësimdhënie theksohet se Skënderbeu është hero kombëtar dhe ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm për popullin shqiptar por edhe për mbrojtjen e civilizimit europian.
“Ne kemi shumë libra për Skënderbeun, materiale të shumta të cilët profesorët shqiptar na kanë dhuruar. Në këtë konferencë gjatë këtyre ditëve unë kam mësuar shumë pasi studiuesit vijnë nga gjithë bota. Kjo konferencë është një ngjarje e cila do të nxisë më shumë studimet lidhur me Skënderbeun dhe gjithashtu i shërben dhe zhvillimit të albanologjisë në Kinë”, përfundoi albanologia Ke Jing.
Profesoresha Ke Jing e Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit mori dhe Medaljen e Mirënjohjes nga kryeministri Edi Rama për kontributin e saj në albanologji duke kaluar kufijtë e duke e çuar atë deri në Kinë. /atsh