Dhe nuk është i pari rast. Me dhjetëra në mos me qindra të tjerë të zhgënjyer nga flakja që iu është bërë në Shqipëri, tani punojnë në universitetet më të njohura të botës.
Pedagogia Lorenca Bejko, e cila punon si asistent profesore në një univeristet në Francë ka treguar eksperiencën e saj të punësimit jashtë shtetit. E ftuar këtë të shtunë në emisionin Rin Talk në Euronews Albania, Bejko tha se pasi përfundoi studimet doktorale në Francë vendosi të kthehej në Shqipëri, për shkak të lidhjes të lidhjes së ngushtë që kishte me familjen, por nuk mundi të punësohej në asnjë universitet brenda vendit. Ajo tha se aplikoi në të gjitha universitetet sipas kritereve, por nuk mori asnjë telefonatë mbrapsht.
Në këto kushte, Bejko theksoi se u detyrua të rikthehej sërish në Francë, ku tashmë punon si asistente profesore dhe fiton 120 euro në orë.
“Të paktën për mua që jam asistent profesore, pasi ky është pozicioni i parë që t’i merr pas studimeve doktorale, në Francë ke një rrogë rreth 120 euro në orë, në krahësim me 5 mijë lekë apo 10 mijë lekë që paguhet një asisten profesor në Shqipëri. Është vlerësim kur merr 120 euro në orë ama dhe konkurrenca është më e lartë,”- tha ajo.
“Pas studimeve doktorale, jam shumë e lidhur me familjen dhe vendosa të kthehem në Shqipëri. Aplikova në Shqipëri në të gjitha universitetet në bazë të kritereve që ata kishin dhe nuk pata kurrë asnjë telefonatë mbrapsht. Pata vetëm një përgjigje nga një institut që ndodhej larg vendodhjes time dhe që nuk ishte i përshtatshëm për mua. U ktheva në shtetin ku u diplomova dhe fillova punë aty në fushën e gjeopolitikës,”- shtoi ajo.