Nga Ilirjan Gjika/Të gjithë e njohin për poet. Edhe ai kështu e konsideron veten. Poezinë e ka në shpirt dhe e bart kudo me vete. Ajo buron nga gjenet e tij të Labërisë epike. I frymëzuar prej saj ai i ka ‘’kënduar dhe i këndon’’ Vlorës,Shqipërisë, detit, natyrës, njerëzve. Shumë krijime të tij në poezi, portrete, përkushtime, këngë gëzimi apo të përvajshme i gjen në libra, në blogje interneti apo faqe gazetash. Gjithsej ka botuar tetë libra kushtuar muzës së tij, poezisë. Por, Alberti, bart në krijimtarinë e tij edhe diçka origjinale. Ashtu si Vlora, vendlindja e tij që laget nga dy dete edhe ai sikrijues lëvron dy fusha të krijimtarisë artistike. Poezinë, me të cilën ka krijuar tashmë profilin e tij të spikatur si dhe studimet letrare. Biles në këto të fundit ndeshim edhe një fakt ‘’kokëfortë’’. Janë trembëdhjetë libra me studime monografike, dy prej të cilave me karakter shkencor. Një dyzim i natyrshëm për një shkrimtar por edhe një bashkëjetesë jo e lehtë për të dyja gjinitë. Duket se kemi të bëjmë me një përballje midis poetit lirik nga njëra anë dhe studjuesit skeptik dhe të matur nga ana tjetër.
Gjithsesi ai është dhe mbetet poet pavarësisht se balanca e botimeve anon nga studimet, prej të cilave njihet tashmë edhe si një zë i njohur i fushës.
2
Për Luftën e Vlorës, një nga faqet e ndritura të historisë sonë moderne janë shkruar shumë libra dhe janë marrë një sërë autorësh. Të shkruar përgjithësisht në formën e monografive ato kanë qënë botime të mirëfillta historike. Ndërsa në këtë drejtim, libri i aurorit Albert Habazaj, ‘’Lufta e Vlorës-Historia në Epikën Historike’’ është një qasje që vjen ndyshe për lexuesin. Kjo për disa arësye sepse Habazaj e trajton Luftën e Vlorës jo vetëm në aspektin historik por edhe në këndvështrime të tjera, duke përfshirë edhe atë etnografik, etnologjik, folklorik, gjuhësor, gjeografik, etj. Një gjë të tillë ai e shpreh edhe vetë në hyrje të këtij vëllimi, ku midis të tjerave thotë se: ‘’Nga tema e madhe e Luftës së Vlorës, e 1920-ës, që është një temë e rrahur dhe në dukje shteruese, shtrydhëm një temë të vogël, të ngushtë, në trajtën e një studimi krahasues për Luftën e Vlorës, të jetësimit të saj në epikën historike, ndërrmarje e pakryer më parë…’’ (f. xii).
Pikërisht nga kjo ‘’temë e vogël’’, Albert Habazaj, shkruan jo pak por 218 faqe të një studimi disaplanësh i cili përbëhet nga katër pjesë, që janë hyrja dhe tre kapituj. Duke qenë se vjen nga ‘’bota’’ universitare pasi prej mëse 15 vitesh drejton Bibliotekën ‘’Nermin Vlora Falaski’’ të Universitetit të Vlorës, autori e ka paraqitur librin për nga forma e strukturës si një punim të mirëfilltë shkencor. Kjo shihet që në faqet e para të tij, ku në pjesën e Hyrjes, ai tregon për metodologjinë e ndjekur, shkurtimet e përdorura, kalendarin historik të ngjarjes, si dhe aktorët që e ndihmuan për materilalet arkivore të përgatitjes së këtij vëllimi. Më pas, libri ‘’Lufta e Vlorës-Historia në Epikën Historike’’, vijon me të tjera pjesë interesante që përkasin 197 faqeve të një studimi të mirëfilltë shkencor.
Nëse do të bënim një reçensë të përgjithshme të librit do të na duhej të mernim në analizë të gjitha pjesët e tij. Kështu në kreun e pare, të titulluar ‘’Qëndrimi historik ndaj Luftës së Vlorës’’, paraqitet në mënyrë të detajuar interpretimi historik i kësaj ngjarje të madhe. Aty, qysh në fillim, autori e intrigon lexuesin me një informacion interesant siç është paraqitja kronologjike e veprave kushtuar Luftës së Vlorës dhe autorëve të tyre. Bibliografia e gjerë nis që nga Sali Hallkokondi, autori i parë që ka shkruar për të e deri tek emrat më në zë të historografisë shqiptare të shekullit të XX-të, si: Aleks Buda, Kristo Frashëri, Muin Çami, etj.
Pavarësisht se nuk është historian sepse Albert Habazaj vjen nga ‘‘bota e letërsisë’’, ai na befason në këtë rast me interpretimin brilant që i bën ‘’Epopesë’’ së Luftës së Vlorës. I mbështetur në referenca të shumta të autorëve shqiptarë dhe të huaj, autori merr përsipër të analizojë edhe tekstet e shkruara më parë dhe jep për to vlerësimin e tij, bazuar në optikën e fakteve dhe të dhënave të shumta që paraqet. Në këtë pjesë gjejmë të pasqyruar edhe shkrime të autorëve të huaj bashkëkohore që kanë patur si objekt të punës së tyre Luftën e Vlorës. Të tillë janë Nicola Guy, Serge Metais apo Nicolas Costas, një pjesë e të cilëve në këto vite të fundit janë botuar edhe në gjuhën shqipe.
Me të të gjitha këto, Habazaj, pa harruar temën kryesore të librit na tregon se interesi për Historinë e Shqipërisë është shtuar së tepërmi vitet e fundit në botën akademike perëndimore.
Ndërsa në kreun e dytë, autori, merret kryesisht me trajtimin e folklorit, një fushë me të cilën ai është marrë edhe më parë. Nën titullin ‘’Folklori dhe historia-krijime folklorike për Luftën e Vlorës, ai, e nis dhe bën një tjetër përshkrim historik të ngjarjes, por këtë radhë në një rrafsh dhe këndvështrim tjetër, duke ju referuar veprave dhe autorëve të folklorit. Nuk mungojnë në referencat e shumta emrat e një sërë studjuesve të shquar të kësaj fushe si: Qemal Haxhihasani, Zihni Sako, Miranda Dule, Fatos Mero Rapaj, Agron Xhagolli, si dhe të historianëve Koli Xoxi, Viron Koka, etj. Po kështu, një gjetje interesante që përbën një tjetër risi të këtij libri është edhe formulimi i hartës gjeografike të krijuesve të folklorit për Luftën e Vlorës. Një gjë të tillë, autori e trajton në dy rrafshe. Së pari në atë lokal, ku përfshin Labërinë e Vlorës dhe Tepelenës me fshatra të tillë si: Dukati, Armeni, Tërbaçi, Koculi, Kanina, Brati, Smokthina, Bënça, Fterra, Sevasteri, etj (f. 65). Dhe së dyti në rrafshin kombëtar duke përfshirë krahina të tilla si Mallakastra, Himara, Myzeqeja, Çamëria, Gjirokastra, Skrapari, Berati, Durrësi, Kolonja, Saranda, Fieri, Lushnja, Elbasani, Tirana, Kruja, Përmeti Korça dhe Kukësi (f. 71).
Këtu Albert Habazaj prek edhe një dukuri të vjetër të së drejtës zakonore shqiptare atë të kushtrimit. Ashtu si dikur në histori ku ngjarje të tilla i ndeshim tek Kronika e Tokove e fundshekullit të XV-të apo në Kuvendin e Dukagjinit, të mbledhur në Mat në shekullin e XVI-të edhe këtë radhë kënga popullore na e dëshmon një gjë të tillë edhe për Luftën e Vlorës.
Ndërsa në kreun e tretë trajtohet ‘’Lokalizmi i këngës epike të Luftës së Vlorës dhe relativizmi sipas bashkësive praktikuese’’. Që nga titulli vihet re se këtu kemi të bëjmë me një studim të mirëfilltë të Antropologjisë Kulturore. Duket se këtu Habazaj ka ndërthurur midis tyre dy disiplina: etnografinë dhe etnologjinë. Pra, si etnograf, Habazaj, shkon në terren, mbledh dhe përshkruan këngët dhe tregimet e ‘’Epopesë së Vlorës’’. Ndërsa si etnograf ai ka një veçanti tjetër sepse mbledh dhe paraqet të gjitha në këtë libër, dëshmi të cilat trajtimi i dikurshëm i nisur prej pozitave klasore të regjimit të kaluar i kishte ‘’retushuar nga historia. Ja se si e përshkruan ai në faqen 153 të librit të tij një nga ekspeditat e shumta në terren.
‘’Në kërkim të gjurmëve folklorike për këto figura të ndaluara apo të harruara, të lënë në hije nga historia e shkruar apo jetëshkrimi i kënduar, që kalon gojë më gojë, me valle a me këngë, shkuam në Kocul të Vlorësatje ku ka vendlindjen Q. Koculi dhe Avdurrahman Shaska, që në popull njihet me ermin Duro Shaska. 78 vjeçari Fahri Shaska, që takuam atje dhe biseduam gjatë me të, i veçantë për një kujtesë fenomenale (gjë që e verifikuam nga shumë informatorë nga ai komunitet…)’’.
Po kështu disa nga këto ekspedita ai i paraqet edhe në temën ‘’Gjurmime nga vrojtimet dhe ekspeditat ne terren’’ në faqet 162-167 të këtij vëllimi. Ndërsa diku tjetër ai përmend edhe Boblën një vegël e thjeshtë akustike prej briri me anë të cilës bëhej thirrja për në luftë (f.118).
‘’Binte bobla fshat më fshat…’’
Pra me anë të karakterit njohës libri na njeh me dy dukuri etnografike. Me boblën një të thjeshtë muzikor të bërë nga artizanët apo blegtorët vendas si dhe me thirrjen e kushtrimit.
Si etnolog, Albert Habazaj, ulet dhe përpunon të gjithë materialin e mbledhur në terren, arkiva dhe biblioteka. Ai i merr me radhë, një edhe për një të gjithë autorët, personalitete dhe figurat e kësaj lufte, kujtimet e bashkëkohësve, të dëshmitarëve okularë, rapsodët popullorë dhe këngët e tyre, etj.
Por ndryshe nga autorët e tjerë, Habazaj, ndërthur historinë e shkruar me historitë e thjeshta të jetës. Ai i sjell dëshmitë e njerëzve pjesmarrës bruto për ti dhënë mundësi lexuesit që edhe ai i pandikuar nga autori të gjykojë vetë dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë mbi zhvillimet e luftës së njëzetës. Me shumë durim dhe kujdes, Albert Habazaj, ka mbledhur dhe qëmtuar shumë prej episodeve të treguara nga pjesmarrësit dhe protagonistët e ksaj ngjarje duke hedhur dritë edhe mbi realitetin e kohës dhe psikologjinë e njerëzve të epokës.
‘’Historitë e jetës japin ndihmesë të veçantë për për shkrimin e historisë nëpërmjet përjetimeve të pjesmarrësve dhe protagonistëve të saj’’, thuhet në manualet e shkencës së historisë. Edhe autori nëpërmjet tyre përpiqet dhe ‘’ndriçon’’ të gjitha aspektet njerëzore të akteve të kësaj lufte, si ato të kuvendeve të Barçallasë, Beunit, ultimatumin e famshëm drejtuar general Piaçentinit, sulmin mbi garnizonet italiane, heroizmin popullor, protagonistët e mirëfilltë, etj. Një e veçantë e librit është se autori që është edhe një njohës i mirë i doktrinave ushtarake i bën edhe një përshkrim të hollësishëm dhe argumentues zhvillimit të luftimeve, vijës së frontit, fortifikimeve italiane, raportit të forcave, ushtarakëve drejtues, heronjve popullorë, etj.
Gjuha e librit është e thjeshtë, e qartë dhe e kuptushme. Kjo e bën librin të përshtatshëm për çdo lloj lexuesi. Megjithëse studim shkencor, vëllimi, dallohet për anën tregimtare.
Citimet, interpretimet e pasazheve, të vargjeve të ndryshme si dhe komentet, rrëfimet dhe analizat nuk e ulin ritmin e leximit. Por një gjë e tillë mund të thuhet vetëm për lexuesin e thjeshtë sepse për studjuesit apo studentët e shkencave filologjike, ky libër i ngjan një ‘’maratone me shumë ndalesa’’. Kjo sepse aty ka një brendi të pasur dhe një lëndë voluminoze e cila i ka kushtuar autorit jo pak, por dhjetë vite të një pune voluminoze.
3
Një nga meritat e Albert Habazajt është se ai e sjell këtë libër pikërisht këtë vit që përkon me 95 vjetorin e Luftës së Vlorës. Risia e saj qëndron në faktin se në këtë vëllim kemi të bëjmë me trajtimin në gjerësi dhe thellësi të kësaj ngjarjeje të madhe të historisë sonë moderne në një raport të ri dhe krejt ndyshe si më parë. Lufta e Vlorës këtu shihet në këndvështrimin e ndërthurur histori-krijimtari folklorike. Libri ‘’Lufta e Vlorës-Historia Në Epikën Historike’’ është një libër që i është nënshtruar edhe njërit prej katër parimeve të shkencës atij të skepticizmit të organizuar. Si një studim i mirëfilltë ai është mbrojtur përpara një komisioni të specializuar shkencor në Institutin e e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qëndrës Universitare të Studimeve Albanologjike. Kjo përbën një vlerë të shtuar të tij që e bën autorin e saj, një emër tashmë të njohur në fushën e studimeve të këtij rrafshi.