Historia e mjekes me rezultate të shkëlqyera që braktisi Italinë për QSUT

Mjekë me eksperiencë në spitalet Europiane vijojnë të zgjedhin Shqipërinë për të ushtruar profesionin e tyre.

Një ndër këta mjekë është edhe dr. Bianka Shima, e diplomuar për Mjekësi dhe Kirurgji pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë, Itali me rezultate të shkëlqyera.

Ajo ishte vetëm 18 vjeçe kur vendosi të linte Shqipërinë për të vazhduar studimet për Mjekësi dhe Kirurgji pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë.

“Unë kam mbaruar studimet në Universitetin “La Sapienza” të Romës, për Mjekësi dhe Kirurgji dhe në të njëjtin universitet dhe në spitalin “Umberto Primo” kam përfunduar specializimin afatgjatë për radio-terapi onkologjike. Jam kthyer në Shqipëri, pak a shumë një vit më parë dhe kam filluar punë në njësinë e radioterapisë pranë shërbimit onkologjik të QSUT-së pra 6 muajsh. Vendosa të vë në dispozicion dijet e mia dhe eksperiencën time të marrë jashtë, për qytetin tim, Tiranën. Unë kam qenë gjithmonë shumë e dashuruar pas Tiranës dhe pse e kam lënë për gati 15 vjet”, -u shpreh doktoresha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Pas investimeve të kryera në sistemin shëndetësor, Shima u shpreh se aktualisht pacientët në QSUT trajtohen me teknikat më bashkëkohore.

“Në këtë qendër pacientët mund të trajtohen me teknikat më bashkëkohore, me të njëjtat teknika që përdoren edhe jashtë. Kështu që, për mua si profesionist është një stimul shumë i madh që edhe në vendin tim të trajtoj pacientët me të njëjtin nivel”, -vlerësoi ajo.

Doktoreshë Shima ka një apel të veçantë për mjekët shqiptare që punojnë jashtë vendit.

“Mjekët shqiptare duhet të kthehen të kontribuojnë në vendin e tyre sepse ne marrin një dije që është ndryshe. Nuk them që është më e mirë apo e keqe, por është një dije ndryshe dhe ndryshimet gjithmonë mund të sjellin përmirësim në vend.

Ajo ka treguar se është larguar nga Shqipëria, jo për një jetë më të mirë por për një shkollim ndryshe.

“Kur vendosa që të shkoj jashtë nuk vendosa që të shkoj për një jetë më të mirë por vendosa që të shkoj, të bëj një universitet që të isha pak më ndryshe nga te tjerët. Kështu që edhe në momentin që u ktheva, e kisha vendosur që do kthehesha në Shqipëri.

Doktoreshë Bianka Shima ka marrë titullin Mjeke Specialiste Onko-Radioterapeute pas përfundimit të specializimit afatgjatë 5-vjeçar në Radioterapi Onkologjike pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit “La Sapienza”, Policlinico “Umberto I” në Romë.

z.t/a.f/

TIRANË, 21 tetor/ATSH-Z.Tosku/

Loading...