Një 20-vjeçare ka rrëfyer historinë e saj të trishtë, ku një gabim mjekësor i hoqi mundësinë që të ngrihet sërish në këmbë. Enjola Duraku tregoi për “Channel One” se kur ishte e vogël pati një problem në shtyllën kurrizore. Pas operacionit, ajo mbeti në karrige me rrota edhe pse mjekët e kishin cilësuar si një operacion të lehtë dhe i kishin premtuar se mund të ecte sërish.
“Për faj të mjekësisë, jo e lindur. Ndodhi një problem i vogël në shtyllën kurrizore, një flluskë, mish i huaj. Doktorët thanë se është një operacion i lehtë.
Me kalimin e kohës do shërohet, do ngrihet në këmbë. Më futën në operacion për 5 orë dhe kur dola, ato më kishin prerë nervin e këmbës dhe unë nuk ngrihem dot më në këmbë. Kam qenë shumë më keq se jam sot, se unë edhe këmbadoraz nuk kam pas ecur. Në moshën 7 vjece më pajisën me karrocë për të shkuar në shkollë.
Është jashtëzakonisht shumë vështirë, aq sa kam tentuar të vras veten”, tha ajo. Ndër të tjera, vështirësitë ekonomike kanë bërë që Enjola të mos shkojë në shkollë. Më pas, ajo shpjegoi se infrastruktura i shkakton probleme të mëdha në lëvizjen me karrocë. E vetmja dëshirë dhe ëndërr që ka Enjola në këtë jetë është t’i rregullohet rruga pranë shtëpisë.