Historia e veçantë e Eridës që i vodhi profesionin burrit – Ditën mësuese, natën DJ!

Partnerë në jetë dhe “rivalë” në skenë. Erida ka mësuar të luajë muzikë nga bashkëshorti i saj Arbër. Tani që të dy janë DJ profesionistë por “nxënësja” ka ardhur të sfidojë “mësuesin” e saj.

“Gjithçka nisi më 7 Maj 2010 në një lokal nate kur jemi parë për herë të parë me Arbrin.

Jemi një çift që nga dita e parë nuk ja kemi prishur për asgjë njëri-tjetrit, jemi të dy kokëkrisur.

Pas 20 ditësh që u njohëm vendosëm të bëjmë fejesën. Sot habitem me veten, por gjërat nuk kanë një formulë. Unë isha studente në master në vitin e parë,njëkohësisht sportiste dhe mësuese anglishte.

Bashkëshorti im është Dj Stone,ndërsa unë kampione e Shqipërisë në ping pong për pesë vite.

Duke qenë bashkë vendosa ta shoqëroja kudo ku ai shkonte të performonte dhe e shijoja.

Ai shkon në tualet dhe unë futem të miksoj një këngë, kur kthehet më shikon dhe nuk i pëlqeu shumë. Më lindi dëshira të isha edhe unë DJ, por vazhdova të mbaja çantën e tij me CD për disa kohë. Gjatë verës shkuam në Rodos, Greqi të punonim si artistë dhe atje provova dhe miksoja disa këngë teksa isha edhe prezantuese.

Pas 2 muajsh lidhje, erdhi celebrimi dhe në 1 Prill mësova se do të bëhesha nënë e një vajze, por askush nuk më besonte. Sot kam vajzën e madhe Beatris 7 vjeçe dhe djalin e vogël 1 vjeç, Rajan.

Gjithmonë e më shumë më pëlqente të isha DJ dhe një mëngjes pas një darke ku unë miksova disa këngë më shkruan dhe më thotë a do të bëhesh DJ?

Erdhi në shtëpi dhe nga ajo ditë fillova të luaj rregullisht çdo ditë derisa tani kam arritur dhe performoj në klubet e natës në kryeqytet. Emrin artistik e zgjodha për shkak të trëndafilave që janë të preferuarit e mi.”, tregon Erida.

Sot ajo ka thirrur në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, Arbrin në një sfidë bashkëshortore mes DJ. Në fillimet e historisë së tyre në një lojë ping pongu ajo i ka lënë të fitojë një set, por ai e quan si arritjen e tij dhe thotë se e ka mundur, sot sfida është e hapur që Erida ta mundë në fushën e tij.

Ata nuk performojnë bashkë dhe tani kanë ndërruar rolet sepse është Arbri ai që mban çantën e Eridës. Në studion e të Dielës Shqiptare nis sfida mes DJ Miss Rose dhe DJ Stone, por që në fund mbyllet me një barazim. /tvklan.al

Loading...