HLN: Shqipëria? Mes nëntë destinacioneve përrallore 2019

Gazeta më popullore në zonën belge të Flandrës “Het Laatste Nieuws”, ka vendosur Shqipërinë në një renditje të nëntë destinacioneve verore përrallore të vitit të ardhshëm duke e krahasuar me vende si Japonia, Zelanda e Re, Kanadaja, Sri Lanka apo ishujt e mrekullueshëm të Paqësorit.

“Ditët po bëhen më të shkurtra dhe ngjyra e bukur e lëkurës zëre se ka ikur krejtësisht. Si rezultat, të gjithë janë duke menduar për verën. Zbuloni nëntë destinacionet përrallore për vitin e ardhshëm. Ose më mirë, prenotoni udhëtimin tuaj të radhës që tani”, shkruan gazeta belge.

Kushdo që mendon për një destionacion turistik popullor, me siguri nuk mendon për Shqipërinë. Madje me shumë mundësi as nuk e dini se ku ndodhet me saktësi ky vend. Megjithatë ia vlen të vizitohet, të paktën sipas “Lonely Planet”.

Kjo guidë e famshme udhëtimesh ka renditur Shqipërinë në 10 destinacionet me të mira për nga shpenzimet, ose në listën e destinacioneve në rritje për të cilat nuk duhet të gërmosh shumë thellë në portofol.

“Shqipëria është dhe mbetet një vend ku mund të shëtisësh dhe të shijosh pamjen e bukur të maleve të pabanuar. Mund të kalosh natën në fshatra të vogla ku koha ka ndaluar, ose të vizitosh kryeqytetin plotë jetë, Tiranën, pa harxhuar shumë para”, thekson “HLN.be”. ATSH

Loading...