Holanda vendos rikthimin e vizave për shqiptarët

Parlamenti i Mbretërisë së Holandës, ka votuar sot pro mocionit të dy partive më të mëdha në vend, për rivendosjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Ky vendim megjithatë nuk mund të hyjë në fuqi nëse nuk miratohet edhe nga Europa. Pas këtij votimi në Parlament, qeveria e Holandës do t’i kërkojë Këshillit Europian pranimin e mocionit në mënyrë që në këtë shtet shqiptarët të futen vetëm me regjim vizash.

Rikthimi i regjimit të vizave shihet si mundësi për të frenuar edhe kontigjentin kriminal nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Schengenit në drejtim të Holandës ku ushtrojnë veprimtari të paligjshme.

Megjithatë e paqartë është se si mund të funksionojë regjimi i vizave ndërsa të gjitha vendet e tjera nuk janë të përfshira. Kështu nëse një shqiptar do të lëvizë me mjete transporti publik si trena, autobusë, etj. nga një vend i BE në Holandë, ose duke lëvizur me mjete personale, në kushtet kur lëvizja brenda BE është e lirë, duket e pamundur të funksionojë kjo masë drastike, përveçse nëse Holanda ngre postblloqe duke u investuar enkas kundër shqiptarëve.

Gjithçka erdhi pasi një shumicë në Dhomën e Ulët kërkoi rikthim të të gjitha llojeve të vizave për shqiptarët.

Nga viti 2010 ishin hequr vizat 6-mujore duke lejuar shqiptarët që për qëllime jo-pune dhe jo-studimore, të qëndronin 90 ditë në gjysmë viti, jashtë Shqipërisë në të gjitha vendet e zonës Schengen, përfshirë Holandën.

Vizat e tjera vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Por deputetët holandezë kërkuan që shqiptarët të mos lejohen të futen në Mbretërinë e Holandëz nëse më parë nuk janë pajisur me viza nga konsullata e ambasadës holandeze në Tiranë, duke kaluar në filtra dhe pagesa për vizë.

Sipas VVD, PVV, CDA, SP dhe ChristenUnie, kjo masë është e nevojshme për të parandaluar aktivitetet e “mafias shqiptare” në Holandë.

Kërkesa për rikthim vizash ishte bërë nga të njëjtit edhe në vitin 2010 dhe u hodh poshtë na qeveria.

Por tani, ministri i Drejtësisë Ferdinand Grapperhaus (CDA) thotë se krimi nga shqiptarët është rritur gjatë viteve të fundit.

Sipas Grapperhaus, qytete si Rotterdam dhe Amsterdam në veçanti, duhet të luftojnë me shqiptarët që janë aktivë në trafikimin e kokainës.

Shqetësim shprehet dhe për shqiptarët në Limburg duke thënë se atje ata kultivojnë kërpin.

Policia holandeze thotë se shqiptarët po blejnë kokainë në Amerikën e Jugut dhe po krijojnë rrjete shpërndarjeje në vende të ndryshme evropiane.

Në vitin 2017, departamenti i hetimeve penale, gjyqësori, bashkia e Amsterdamit dhe autoritetet tatimore ndërmorën një hetim të përbashkët për numrin e shqiptarëve që janë të përfshirë në trafikun e drogës në Holandë.

Në vitin 2017 u identifikuan 499 të dyshuar kurse në 2018 numri u ul në 476.

Deputetja e CDA, Madeleine van Toorenburg ishte ndër nismëtaret e rikthimit të vizave vetëm për shqiptarët.

Sipas saj, organizatat kriminale po “keqpërdorin mundësinë e udhëtimit pa viza përmes Evropës”. Në këtë mënyrë ata zgjerojnë më tej rrjetin e tyre të trafikut, thotë anëtarja e CDA-së në Dhomën e Ulët.

Numri i kërkesave për azil nga shqiptarët u rrit ndjeshëm në 2015 dhe 2016, në një mesatare prej 1300 në vit. Por në vitin 2018 janë paraqitur vetëm 550 kërkesa.

Përkundër kërkesave të mësipërme, deri tani qeveria është treguar e kujdesshme duke vlerësuar se rikthimi i vizave nuk do të pranohet nga vendet e tjera të BE. Minsitri i Punëve të Jashtme Stef Blok i VVD, tha se midis vendeve anëtare evropiane nuk ka mbështetje të mjaftueshme për propozimin. Kjo për shkak të faktit se, sipas Komisionit Evropian, Shqipëria ende plotëson kushtet që aplikohen për lëvizje të lirë pa viza.

Këto kushte përfshijnë konstatimet se Shqipëria merr masa efektive kundër korrupsionit në vendin e vet dhe bën mjaftueshëm për të parandaluar krimin ndërkufitar.

Ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve dëshiron që MPJ Blok të insistojë në Bruksel për ripërtëritjen e kërkesës për rikthim vizash, vetë MPJ Blok, thotë se nëse propozimi çohet në Bruksel është “i pashpresë”.

Megjithatë, sipas ministrit të Jashtëm, Komisioni Evropian pranon se Shqipëria ka ende shumë për të përmirësuar sa i përket kushteve për lëvizje pa viza. /noa.al

Loading...