HUMANIZËM… POR JO VETËM NË DITËN BOTËRORE TË SHËNDETIT MENDOR
(Nisur nga raste sporadike)
Për të përballuar shqetësimet, ankthin e të përditshmes, zhgënjimet e ardhur nga fshikujt e jetës kërkohet, padyshim, karakter, guxim, sa dhe impenjim, një “menaxhim” të vetvetes.
Takon që gjendesh në situata të papërshtatshme, me reagime të paparashikuara nga shumëkush, nervoze, që tejkalojnë normat elementare. Por njeriu prandaj e ka arsyen dhe të ruaj gjakftohtësinë, kur tjetri e tejkalon cakun, të fyen, shkel rregullat elementare të sjelljes.
Kjo kategori njerëzish që nuk arrijnë ta përmbajnë veten dhe gjendjet e frustrimin e tyre e shkarkojnë mbi të tjerët, nuk meritojnë të jenë në institucione të shëndetit publik, ca më tepër në spitale ku ke të bësh me të sëmurë që vuajnë dhe kërkojnë ndihmën tënde, solidaritetun tënd, dashurinë tënde.
Sidomos të sëmurët mendorë kanë nevojë për përkushtim të veçantë dhe dashuri pa paragjykime. Ata kanë gjendje shpirtërore të vështira, kanë ndjeshmëri të theksuar, ankth, depression. Po a e kanë këtë përkujdesje dhe dashuri të gjithë?
Pikërisht këtu zë fill mendimi që dua të shfaq dhe ngjarjet sporadike që ndodhin rëndomtë..
Kjo kategori të sëmurësh kanë specifikë, kërkon vëmendje që jetën mos ta shikojnë gri apo vetëm bardhë e zi, si një fund i errët ku s’ka nje fije drite. Një sjellje e gabuar u vret shpresën, i margjinalizon edhe më shumë. Janë pikërisht ato duar që duhet t’u zgjasim…
janë ato ngjyra që atyre u mungojnë. Duhet pra që t’u krijojmë premisën se sëmundja mendore nuk ka dallim nga sëmundjet fizike pasi dhe këta njerëz mund dhe duhet të shërohen, mund dhe duhet të ingranohen në jetën sociale.
Bashkohuni me ta! Por si i bëhet kur përballë tyre shfaqen njerëz nervozë, që s’dinë të sillen, që madje fyejnë.
Duhet të gjendet mënyra më e përshtatshme për t’i ndihmuar sadopak që dhe jeta e tyre të bëhet normale aq sa mundet, të dalë nga skemat e errëta, ngujimi i shpirtit, frika, mosbesimi, fiksimet, paranojat etj. Sepse dhe ata janë si gjithë të tjerët. Janë qenie njerëzore mbi të gjitha.
Duhet gjithëpërfshirje, jo vetëm personeli i spitalit. Shoqëria ka detyrimin të ingranohet për të kaluar nga jeta sedentare në aktivitet fizik, për të mënjanuar sinkrozat e një jetë plot ankth.
Nga përvoja ime shpesh traumat e pacientëve me sëmundje psikike vijnë pikërisht nga trysnitë e padobishme sociale që krijohen, nga ngarkesat, nervozizmi, pamundësitë ekonomike, situatat në zgrip, konfliktet etj. Dhe të gjitha këto nënkuptojnë pikërisht mungesën e një marrëdhënieje humane që zbut shpirtrat dhe të sëmuret mendor të ndjehen të dobishëm, të vlerësuar me qëllim që dhe ata të ingranohen në jetën që i pret.
E pra këta “shpirtra të trazuar”, stresi dhe ankthi që përjetojnë kërkojnë dashurinë e munguar, kërkojnë jo vetëm ndihmën e komunitetit por sidomos nga bluzat e bardha, që janë të specializuara dhe lipset të kenë gjithë përkushtimin e domosdoshëm. Dua të ndalem kur ka pasur raste kur të sëmurët mendorë nuk respektohen edhe në rrugë apo kudo..apo dhe në mjedise mjeksore..apo edhe kur personelin mjekësor e fyejnë në institucionet mjeksore kur shoqërojnë këta të sëmurë.
Ku është humanizmi? Ku është etika profesionale? Ku është respekti dhe dëgjesa ndaj një personeli mjekësor shoqërues si në rastin tone? Kërkoj një sensibilizim të opinionit për më shumë dashuri njerzore, humanizëm, përkushtim ndaj pacientëve të shëndetit mendor.
Asnjëherë s’duhet të harrojmë se ata janë si gjithë të tjerët. Dhe mbi të gjitha stafi mjeksor duhet të kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm të lartë, sikurse me dashuri të thellë.
Po mungojnë këto dy cilësi bazë, kot qe je personel dorëzo bluzën, bëj diçka tjetër! Puna me këtë kategori të sëmurësh është shumë e vështirë. Edhe ata duan t’i buzëqeshin jetës.
Bëjini pra t’i buzëqeshin jetës dhe mos i frikësoni më keq, mos i lëndoni, mos i trishtoni!
RUDINA PAPAJANI.