Është ndarë nga jeta mjeshtri i madh i atletikës shqiptare, Vildan Tufi. Trajneri i mirënjohur i Vllaznisë nuk ka arritur të fitojë betejën me sëmundjen që e kishte prekur këto muajt e fundit dhe ndonëse dukej optimist, nuk ia ka dalë.
Vildan Tufi ka lindur në Shkodër më 14 prill 1945 dhe jetën e tij ia ka përkushtuar atletikës. Nga duart e tij kanë dalë shumë kampionë dhe rekordmenë por tre prej tyre në veçanti spikasin, ngaqë janë nderuar edhe me titullin e lartë.
Profesor Tufi ka stërvitur Vera Bregun, një sportiste e cila ka vendosur rekorde që ende nuk janë thyer në garën e kërcimit së gjati me 6.53 metra dhe në trehapësh me 13.51 metra.
Pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike në Lojërat Olimpike në vitin 1996 në Atlanta të SHBA-së. Po ashtu, dy herë kampione Ballkani dhe fituese e shumë e shumë medaljeve në gara ndërkombëtare.
Pas saj ka stërvitur edhe Arbana Xhani, 20 vite kampione absolute në garat e shpejtësisë, 100 dhe 200 metra si dhe stafetë. Edhe ajo fituese e disa medaljeve në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë që kampioni i madh i tretë është Izmir Smajlaj me të cilin arriti madje të shpallej edhe Kampion Europe.
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka shprehur ngushëllimet për këtë humbje të madhe për sportin shkodran e jo vetëm.
Mesazhi i Ademit
Sapo mësova një lajm të trishtueshëm, Profesor Vildan Tufi, është ndarë nga jeta!
Një humbje e madhe për sportin shkodran e shqiptar, për atletikën shkodrane e shqiptare. Trajner i palodhur i kampionëve, edukator shembullor dhe prind e familjar si ai.