Besnik Ramaj nga lagjja 1 Maj në Fier, humbi jetën disa ditë më parë në ambulancë. Ai po dërgohej drejt kryeqytetit, pasi kishte qëndruar në spital gjatë natës.
Babai i të ndjerit, Bajram Rama: Neve nuk kemi asnjë lloj dokumenti, por nisemi nga kohëzgjatja që është mbajtur në spital, për mendimin tonë nuk i është dhënë ndihma e duhur.
Rasti është bërë publik vetëm pasi familjarët kërkuan avokat për të bërë kallëzim penal. Ishte avokati Kujtim Cakrani që denoncoi rastin si neglizhencë të mjekëve, ndërsa drejtoria e spitalit të Fierit pretendon se mjekët nuk kanë neglizhuar në mjekimin e 43 vjeçarit.
E ëma Drita Ramaj: E çuam në një të natës dhe në mëngjes e nisi doktori për në Tiranë, se e kërkuam ne. Tani ne nuk kërkojmë gjë tjetër, kërkojmë vetëm drejtësi. Të zbardhet e vërteta.
Shkaku i vdekjes mbetet i paqartë. Nga njëra anë familjarët tregojnë se i ndjeri shkoi në spital me shqetësime në frymëmarrje dhe djersë të ftohta rreth orës 1 të mëngjesit kurse mjekët pretendojnë se 43- vjeçari kishte rënë nga lartësia. Kallëzimi penal i regjistruar në prokurori nëpërmjet shqyrtimit të kartelës mjekësore pritet të zbardhë shkakun e vdekjes./ Abcnews