Një tjetër humbje nga koronavirusi nga radhët e arsimit. Ka humbur betejën me virusin e rëndë pedagogia e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Irena Bogdani.
Në një mesazh ngushëllimi, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, thekson se Bogdani ishte një akademike e profesioniste shumë e mirë dhe gëzonte respekt tek të gjithë kolegët e studentët.
“Për profesoreshë Irena Bogdanin në Universitetin e Tiranës ruaj mbresat më të mira nga shumë konferenca shkencore ku kemi marrë pjesë së bashku. Ajo ishte një akademike e profesioniste shumë e mirë dhe gëzonte respekt tek të gjithë kolegët e studentët.
Shumë e pikëlluar për humbjen e saj të parakohshme nga virusi i pabesë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe gjithë të afërmit e saj. U prehsh në paqe profesoreshë Irena!”, shkruan ministrja.
Mesazhi i Universitetit të Tiranës:
Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta në mënyrë të beftë kolegia jonë e shtrenjtë, Prof. Asoc. Irena Bogdani.
Ashtu siç jetoi dhe punoi me fisnikëri, urtësi dhe thjeshtësi, ashtu edhe u nda nga kjo jetë pa përzier askënd në vuajtjen e saj. Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte.
Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytatarie në marrëdhëniet njerëzore.
Dritë pastë shpirti i saj!