Humbi betejën me Covid-19, Kasem Hysenbelliu përcillet sot në banesën e fundit

Përcillet sot në banesën e fundit presidenti i televizionit “Fax News” Kasëm Hysenbelliu, i cili u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare pas një beteje me COVID-19, të cilën nuk mundi ta fitonte me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe mbështetjen e familjes.

Në nder dhe kujtim të tij janë zhvilluar homazhe pranë “Prestige Hotel” dhe më pas ceremonia mortore në orën 11:00 në Sharrë gjithmonë nën zbatimin e rregullave të sigurisë dhe masave anti COVID. Miq, kolegë, bashkëpunëtorë e personalitete të ndryshme kanë marrë pjesë në homazhe duke vlerësuar figurën e z. Hysenbelliu.
Kasem Hysenbelliu, presidenti i televizionit Fax News dhe ish-drejtues i grupit mediatik News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare, Radio RASH dhe gazetës “Panorama” u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në spitalin “Medical Park Florya” në Stamboll.
Hysenbelliu themeloi dhe administroi televizionin ‘Fax News’ që nga tetori 2017, ndërsa për vite me radhë drejtoi me përkushtim e sukses, media të rëndësishme mediatike, si Gazeta Panorama, e për vite me radhë televizionin News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare e Radio Shqiptare.

I martuar, baba i dy fëmijëve, Kasem Hysenbelliu do i mungojë familjes, por edhe të gjithëve që e njohën dhe punuan me të. Ndarja e parakohshme dhe e papritur e tij nga jeta ka sjellë reagimet e shumë gazetarëve, personaliteteve, miqve e kolegëve.

Ambientalisti Sazan Guri: Kasem Hysenbelliu la pas modelin e medias së lirë

Ambientalisiti Sazan Guri ishte një ndër bashkëpunëtorët e presidentit të televizionit Fax News, Kasem Hysenbelliu, i cili humbi betejën me koronavirusin.

Guri tha se Hysenbelliu la pas modelin e medias së lirë, fjalën e lirë për qytetarët.

“Ai arriti që të krijoi atë që është model i medias për qytetarin. Ne kemi tashmë një media që nuk do të humbasë. Ne kishim shpresën tek kjo media. Ai la pas një model të lirisë, pavarësinë dhe përpjekjet për fjalën e lirë. Është një humbej e madhe, familja, media, por prapë është lënë pas një model për t’u vazhduar dhe për t’u ngjizur më shpejt.”, tha Sazan Guri.
“Nuk ishte shef, por një baba”, gazetari: Për çdo gjë thoshte pas ke shefin

Lot e dhimbje për largimin e parakohshëm nga jeta të z. Kasem Hysenbelliut. Miq, kolegë, ish-vartës e njerëz që ndoshta e kanë njohur vetëm nga puna e tij kanë marrë pjesë në homazhe për nder të presidentit të “Fax News” z.Kasem Hysenbelliu.

Gazetari Erjon Skëndaj thotë se ai nuk ishte një drejtor, por një baba për të gjithë.
“Nuk ishim vartës por na shihte si familje. Nuk ishte drejtor por si një baba. Më kujtohen ato batutat e Kasëmit, kur shkonim në terren. Asnjëherë nuk mi ra telefonit, çfarë po bën o Erjon, mos godit aq fortë. Ai donte të dilte e vërteta, për çdo gjë thoshte pas ke shefin. Dhe tek karta e gazetarit kishte lënë numrin e tij të telefonit. Ai dinte t’i vinte pikat mbi i. E dinte kush punonte dhe kush jo. Më kujtonte babain, se dhe babai im ishte ish-oficer dhe më kujtonte babain. Ishte lider, ishte më shumë se një drejtor televizioni”, shprehet Skëndaj.

Drejtori i Informacionit në News24: Kasemi ishte një menaxher i shkelqyer dhe koleg i mirë

Drejtori i Informacionit në televizionin News24, Robert Rakipllari e quan një menaxher të shkëlqyer dhe koleg të mirë presidentin e televizionit Fax News, Kasem Hysenbelliu, i cili ndërroi jetë nga COVID-19.

Megjithēse e vështirë për të ndarë një mesazh, Rakipllari tha se humbja e tij është e pabesueshme. “Humbje e pabesueshme. Jane shume kujtime, sepse ka kaluar nje kohe e gjate bashkepunimi me zotin Hysenbelliu. Ne koto momente mund te them se Kasemi ishte nje menaxher i shkelqyer dhe koleg i mire. Ai i bente bashke te dyja keto”, tha Rakipllari.
Humbja e z. Kasem Hysenbelliu, Salianji: Një mik i së vërtetës. Emri i tij do të mbetet në përjetësi!

“Është një ngjarje tronditëse jo vetëm për familjarët dhe familjen, por dhe për të gjithë opinionin publik”. Kështu shprehet ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji teksa jep një mesazh ngushëllimi për presidentin e “Fax Neës”, z. Kasem Hysenbelliu, i cili u nda nga jeta parakohe për shkak të COVID-19, duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjen dhe miqtë.

“Kasem Hysenbelliu ishte një mik jo vetëm për politikanët, për gazetarët, për bashkëpunëtorët, por dhe një mik i së vërtetës dhe prej personaliteteve mediatike, i cili i dha hapësirë zërit të qytetarëve duke bërë që emri i tij në situata ku shumë media të tjera u përdorën dhe përdoren duke u censuruar dhe përdorur në favor të pushtetit, mediat të cilat administronte përherë Kasemi, ishin media të qytetarëve dhe të së vërtetës. Është një humbje e madhe, por emri i tij do të mbetet në përjetësi jo vetëm për familjarët, por dhe kontributin e madh që ka dhënë për ngritjen pse jo, të një perandorie mediatike siç është ajo Hysenbelliu. Ngushëllime dhe u prehtë në paqe! Ngushëllime dhe për të gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij!”, u shpreh Salianji pas homazheve në nderim të z.Hysenbelliu.

Ethem Ruka: Një dhimbje shumë e thellë! Punoi shpejt, vrapoi shpejt dhe iku shumë shpejt

Rektori i Universitetit “Luarasi”, profesor Ethem Ruka thotë se ndarja nga jeta e z. Kasem Hysenbelliu është një dhimbje shumë e thellë, një vdekje shumë e hidhur, e parakohshme. Pas homazheve për nder të tij, Ruka rrëfen miqësinë 30-vjeçare me Kasemin teksa shton se ai punoi shpejt, vrapoi shpejt dhe iku shumë shpejt.

“Ne do ta mbajmë mend Kasemin ashtu të qeshur, të guximshëm që luftoi për zërin e lirë, për një media të lirë. Punoi shpejt, vrapoi shpejt dhe iku shumë shpejt. Ngushëllime familjes dhe gjithë të afërmve.
Kujtimet me Kasemit janë gjithnjë të këndshme, njeri i humorit, njeri i cili i jepte jetë tavolinave. Për mua ishte njeri i jashtëzakonshëm, në qoftë se marrim parasysh se si e ka nisur rrugëtimin e tij, një rrugëtim që e kam shoqëruar qysh para 30 vjetësh. Mund të them që ishte një karrierë vërtet e suksesshme, e guximshme, por jeta ndonjëherë tregohet e pamëshirshme. Ia preu në një moment kur ai po i afrohet suksesit. Pothuajse kam ndjekur të gjitha fazat e jetës së tyre, të vëllezërve Hysenbelliu. Njerëz të fortë, të vullnetshëm që ka pasur oshilacione në jetën e tyre, por sa herë janë ngritur, janë bërë më të fuqishëm. Më duket krejtësisht e pabesueshme se si vdekja e mori në mënyrë të parakohshme”, deklaroi Ruka.

Avokati Altin Goxhaj: Humbën një avokat të fjalës së lirë

Avokati Altin Goxhaj tregon shumë për presidentin e “Fax News” Kasëm Hysenbelliu. Pas homazheve, Goxhaj tha për News24 se ai ishte një luftëtar i paepur i lirisë së fjalës dhe se qytetarët kanë humbur një avokat të fjalës së lirë.

“Një mik shumë i shtrenjtë ishte për mua z. Kasëm. Humbën një avokat të fjalës së lirë. Humbëm një njeri që ishte i dashur, i sjellshëm, luftëtar i paepur i lirisë së fjalës. Kurrë nuk e ngatërroi biznesin me median. Ishte zëri i të gjithëve.

Unë e kam njohur pasi kisha shumë kohë që dilja në Fax Neës. Nuk më kishte marrë kurrë në telefon, kur e takova më tha se më kanë thënë shumë njerëz që mos e nxirr në televizion por sa të jem unë do jesh dhe ti. 150 të diela që kam dalë në televizion nuk më ka thënë njëherë mos e thuaj këtë apo atë. Kemi humbur një avokat të fjalës së lirë”, tha Goxhaj.

Përlotet ambasadori Dashnor Dervishi: E papritur e madhe për ne, goditje për shtypin e lirë

Ambasadori Dashnor Dervishi teksa mori pjesë në homazhet për presidentin e televizionit Fax News, Kasem Hysenbelliu, pohoi se ikja e tij ishte një goditje e madhe për familjen, miqtë, por dhe për median e lirë.

“Ishte e papritur e madhe për të gjithë ne. Ishte një goditje shumë e madhe për familjen e tij, për ne shokët, një mik i dashur. Ishte goditje për shtypin e lirë. Ishte e papritur e madhe, se përballojmë dot”, tha Dervishi, ndërsa ka qenë gjatë gjithë kohës i përlotur e me zërin që i dridhej.

Loading...