Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe kreu i PD Lulzim Basha kanë përcjellë mesazhe publike ngushëllimi për humbjen e artistit Sherif Merdani.
“Lamtumirë Sherif Merdani”, shkroi Rama në Facebook ndërsa postonte një foto të këngëtarit, ndërsa pak minuta më pas edhe Basha reagoi përmes Tuiterit.
“Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të njohur Sherif Merdani. Sherifi ishte një nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vite të jetës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë që sot humbën të afërmin dhe mikun e tyre! Shpirti i tij u prehtë ne paqe”, shkruan Basha.
Pak minuta pas tij edhe Presidenti ndau një mesazh.
“Këngëtari i lirisë, Sherif Merdani u nda sot prej nesh duke lënë pas shumë dhembje. I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit, në periudhën më të errët për vendin. Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme! I paharruar kujtimi i Sherif Merdanit! “…Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po,’Let it be’, kam për të kënduar””, shkroi Presidenti duke kujtuar vargjet e këngës së njohur të Merdanit./Opinion.al