Qytetarët e Tiranës që jetojnë në tre lagjet e reja të krijuara në kryeqytetet, që nuk e kanë bërë ende regjistrimin e saktë të vendbanimit të tyre, mund të përfitojnë nga amnistia dhe ta bëjnë këtë pa gjobë.
Ndryshimet në ligj që mundësojnë këtë amnisti kanë hyrë në fuqi, ndaj duke filluar që nga kjo javë do të duhet të paraqiten pranë Njësisë Administrative ku realisht banojnë për të bërë regjistrimin e saktë.
Për t’u regjistruar duhen vetëm dy dokumente, kopje e kartës së identitetit dhe një kopje e dokumentit që vërteton marrëdhënien juridike të personit me pronësinë, qira apo pronar.
Nisur pikërisht nga kjo mundësi e krijuar Drejtoria e Përgjithshme Juridike, Aseteve dhe Licencimit në bashkinë Tiranë, referuar ndryshimeve ligjore u kërkon të gjithë administratorëve të 24 njësive administrative dhe 3 lagjeve të reja që të marrin të gjitha masat për t’u krijuar kushte dhe procedura sa më të lehta banorëve që të bëjnë regjistrimin.
“Një ndër pikat e rëndësishme të ligjit të mësipërm, në funksion të lehtësimit të shërbimeve ndaj qytetarit, ka të bëjë me pezullimin e masës administrative me gjobë për një periudhë 6-mujore për të gjithë shtetasit që s’kanë bërë regjistrimin e vendbanimit aty ku ata banojnë realisht. Ky ndryshim ligjor përkon me nismën e ndërmarrë edhe nga bashkia e Tiranës për krijimin e tre lagjeve të reja në territorin e saj. Për sa më sipër, ju lutem merrni të gjitha masat e nevojshme për njoftimin e qytetarëve për ndryshimet e reja ligjore dhe regjistrimin e tyre në njësitë administrative apo në tre lagjet e reja, ku ato kanë realisht vendbanimin e tyre”, thuhet në shkresën e kësaj drejtorie.
Natyrisht që qytetarët duhet të shpejtojnë që të përfitojnë nga kjo amnisti, pasi ligji u lë kohë atyre që të bëjnë lëvizjen e vendbanimit deri në muajin prill.
Pra kushdo brenda kësaj periudhe ka mundësi që të bëjë regjistrimin e saktë pa iu nënshtruar penalizimeve me gjobë. Çdo qytetar e ka për detyrë ta bëjë regjistrimin e saktë, pasi kjo nuk është jo vetëm në të mirë të tij, por edhe në të mirë të vet zonës dhe i vjen në ndihmë institucioneve që të bëjnë një shpërndarje më të mirë të buxhetit dhe investimeve. /atsh