I 13-i në listën e PD, reagon Dash Shehi: Meritoja më shumë, por do marr mijëra vota

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, komentoi renditjen e tij në vendin e 13-t të listës së Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës. Shehi tha se meritonte më shumë, por është deri diku i kënaqur me këtë renditje. Mes të tjerash, ai u shpreh se është i sigurt që do të marrë me mijëra e mijëra vota.

“Meritoja më lart, por jam disi i kënaqur. Jam një njeri që kam ndenjur shumë vite jashtë Parlamentit, nuk më ka munguar jeta politike. Por jam i sigurt që do të marr me mijëra e mijëra vota të qytetarëve, që më respektojnë. Me këtë rast, falënderoj edhe këtë kryeministër. E quaj për nder që brenda skuadrës së madhe opozitare kam një pozicion dinjitoz. Këto janë rregullat e lojës, të politikës, unë do të bëj detyrën time si përherë dhe këtë radhë jam jashtëzakonisht i bindur që shqiptarët do ta shfrytëzojnë këtë dritare, që për herë të parë kanë të drejtë të përzgjedhin mes personave. Unë do të kisha preferuar një listë krejt të hapur. Por shqiptarët e kanë këtë të drejtë të zgjedhin njerëzit më të mirë, më të ndershëm, edhe pse kjo ‘e ndershme’ më duket se ka humbur, këtu sheh horrat. Nuk është shumë e madhe dritarja, nuk hyn shumë ajër e dritë, por aq pak sa kanë, ta shfrytëzojnë qytetarët e të zgjedhin më të mirin”, tha Shehi.

Më tej, Dashamir Shehi komentoi edhe listat e PS, ku rezultonte se disa figura të njohura ishin larguar nga partia, ndërsa disa të tjerë ishin renditur nga Rama në “vijën e zjarrit”.

“Nuk është lista e PS, nuk ka PS, kjo është lista e Edi Ramës, e grupit të tij, biznesmenëve dhe mikeshave që ka përqark. Lista e korrupsionit, e vjedhjes masive. Ky është dështimi i politikës. Ditën që e merr një njeri i vetëm, që principi për t’u futur në një listë politike, nuk ka më vlerë raporti personal, por raporti me shefin. Ka njerëz që duheshin larguar nga lista, do i kisha larguar edhe unë me qejf të madh, por disa prej tyre janë larguar se kanë pasur guximin për t’i kthyer dorë shefit. Kjo është fitore e atij shefit. Unë do të gjykoja që fitorja e opozitës sot, e një lloj demokracie, i bën nder edhe socialistit të ndershëm, atij që do të bëjë garë. Kështu s’ka asnjë asgjë në dorë, nëse do shefi, ti largohesh. Ne nuk merremi me emra, por disa janë larguar, se herë pas here kanë kthyer dorë ndaj shefit. Distanca e Ramës me ata shërbëtorët që ka atje është rritur. Të gjithë ata që ka futur nëpër lista janë një “hiq”, se nuk kanë asnjë kontribut. Këtë e bënte dhe Enver Hoxha sa herë i tekej. I njëjti fenomen po ndodh tani. Ky fenomen ka dhe një gjë tjetër, që po ua bëj të qartë socialistëve. Vihen kështu në lista, që kur të humbë Rama zgjedhje, të mos ketë kush ta kundërshtojë në lidershipin, tërheqjen e vet, sepse ato zotërinjtë që i largoi tani mund t’i thonin të largohej, por me ata që vuri në lista, do ta kemi edhe nja 4-5 vjet Ramën. Gjithë ideja është që shefi krijon distancën maksimale me skllevërit e vet, që mos t’i kthejnë dorë, kur të humbë zgjedhjet. Unë nuk kam qejf të merrem më me këtë lloj personazhi”, u shpreh ai.

Loading...